Lidhje

Kryeministri Sharon është i vendosur të arrijë një marrëveshje paqeje me palestinezët - 2003-05-27


Kryeministri izraelit, Ariel Sharon, tha se është i vendosur të arrijë një marrëveshje paqeje me palestinezët, ndërkohë që të dyja palët përgatiten për një takim të mundshëm të nivelit të lartë me presidentin Bush.

Kryeministri Sharon, duke folur dje, një ditë pasi kabineti izraelit miratoi planin e paqes, i njohur edhe si Harta Rrugore drejt Paqes, tha se Izraeli nuk mund ti mbajë 3,5 milion palestinezët nën pushtim përgjithmonë. Ai tha se një gjendje e tillë nuk është mira as për Izraelin e as për palestinezët.

Miratimi me kusht të dielën i planit të paqes nga kabineti izraelit u prit me kritika nga anëtarë të së djathtës në qeverinë izraelite, përfshirë edhe anëtarë të partisë Likud të zotit Sharon. Kryeministri izraelit dhe homologu i tij palestinez, Mahmud Abbaz, pritet të takohen këtë javë për të diskutuar mbi planin e paqes.

Zyrtarë izraelitë thonë se ka mundësi që dy kryeministrat të takohen me presidentin Bush javën e ardhshme në Jordani. Por zyrtarë jordanezë thanë se vendi ku do të mbahet takimi nuk është vendosur ende.

Zyrtarë amerikanë thonë se ka mundësi që Presidenti Bush të zhvillojë bisedime edhe me udhëheqës egjiptianë, jordanezë dhe sauditë, të cilët kanë shprehur mbështetje për planin e paqes.

Pjesëmarrja në takimin e nivelit të lartë në Lindjen e Mesme do të jetë roli më i drejtpërdrejtë që presidenti Bush luan në përpjekjet për t’i dhënë fund dhunës vdekjeprusëse 32 mujore midis izraelitëve dhe palestinezëve.

Plani i paqes, i cili është hartuar nga Shtetet e Bashkuara, Rusia, Bashkimi Evropian dhe Kombet e Bashkuara, përcakton hapat që duhen marrë nga izraelitët dhe palestinezët për të çuar në krijimin e një shteti palestinez deri në vitin 2005.

//ze//

XS
SM
MD
LG