Lidhje

Irak: Vriten dy ushtarë amerikanë - 2003-05-27


Dy ushtarë amerikanë mbetën të vrarë dhe 9 të tjerë u plagosën të martën gjatë një sulmi kundër një njësie ushtarake amerikane në qytetin irakian Falluxhah, rreth 50 kilometra në perëndim të Bagdadit.

Në një deklaratë të Komandës Qendrore amerikane thuhet se një forcë armike e përmasave të panjohura sulmoi njësinë të martën në mëngjes me armë të lehta dhe granada që hidhen me raketë.

Banorë të qytetit thonë se kundër trupave amerikane u hap zjarr në një postbllok. Komanda Qendrore njofton se ushtarët amerikanë u përgjigjën duke hapur zjarr dhe vranë dy prej sulmuesve. 6 të tjerë u kapën gjallë.

Qyteti Falluxhah, një nga bazat e forta të ish udhëheqësit irakian, Sadam Husein, ka qenë skenë e disa incidenteve me të të shtëna armësh zjarri. Muajin e kaluar, protestat dy ditëshe kundër pranisë ushtarake amerikane në këtë qytet u shndërruan në trazira me dhunë.

Rreth 18 irakianë u vranë kur forcat amerikane hapën zjarr në vetëmbrojtje. Të hënën, dy ushtarë amerikanë u vranë dhe 4 të tjerë u plagosën në dy prita të veçanta, një në kryeqytet dhe tjetra në një qytet në veri të Bagdadit.

Ndërkohë, zyrtarë ushtarakë amerikanë thonë se forcat e koalicionit kanë kapur dy persona, numrat 46 dhe 55 në listën e zyrtarëve më të kërkuar të ish regjimit të Sadam Huseinit.

Komanda Qendrore i identifikoi dy të kapurit si Sajf al-Din al-Mashadani, kreu i Partisë Bath për rajonin Mthana, dhe Sad Abd al-Maxhid al Faisal, kreu u Partisë Bath për zonën përreth Tikritit, qyteti i lindjes i Sadam Huseinit.

Me kapjen e tyre, afro gjysma e 55 ish zyrtarëve më të kërkuar irakianë ndodhet në duart e autoriteteve amerikane.//kk//

XS
SM
MD
LG