Lidhje

Amnesty International paraqet raportin për vitin 2002 - 2003-05-28


Organizata Amnesty International thotë se lufta globale kundër terrorizmit ka sjellë si pasojë rritjen e shkeljeve të të drejtave të njeriut dhe të pasigurisë në gjithë botën. Në raportin e kësaj organizate për vitin 2002, thuhej se të drejtat e njeriut janë kërcënuar dhe qeveria i është shmangur kontrollit, të gjitha këto në emër të luftës kundër terrorit. Raportin e paraqiti të mërkurën në një konferencë shtypi në Washington Drejtori Ekzekutiv i organizatës Amnesty International për Shtetet e Bashkuara, William Schulz, Amnesty International tha gjithashtu se ndërsa vëmendja e botës ishte përqendruar tek Iraku, pati shkelje të rënda të të drejtave të njeriut në Bregun e Fildishtë, Kolumbi, Burundi, Çeçeni dhe Nepal. Në Raportin e Organizatës Amnesty International flitet edhe për Shqipërinë, Kosovën dhe Maqedoninë.

Gjendja e të drejtave të njeriut në Shqipëri

Në Shqipëri, personat e ndaluar vazhduan të keqtrajtohen dhe disa herë të torturohen gjatë mbajtjes në arrest nga policia, shpesh herë për t’i detyruar ata të pranojnë akuzat. Këto raste kanë qenë diçka e zakonshme dhe disa herë keqtrajtimet nga policia kanë qenë aq të rënda sa që mund të quhen torturime. Në muajin mars, ministri shqiptar i rendit, sipas njoftimeve, deklaroi se një grup i posaçëm do të merrte në shqyrtim çështjen e dhunës policore ndaj personave të arrestuar, por më vonë nuk pati informacione të tjera.

Vëzhgues të Qendrës Shqiptare për të Drejtat e Fëmijëve vizituan një numër komisariatesh policie ku gjetën se shpesh policia i keqtrajtonte madje edhe i torturonte fëmijët, për t’u nxjerrë atyre deponime. Ndjekjet ligjore kundër policëve të akuzuar për keqtrajtime kanë qenë të rralla. Edhe në ato pak raste ku ndaj tyre janë ngritur akuza, ndëshkimet ndaj tyre thuajse gjithmonë janë kufizuar në gjoba. Ka patur raste arrestimesh të paligjëshme dhe raste në të cilat të afërmit, avokatët ose mjekët nuk janë lejuar të takohen me personin e arrestuar.

Duket se në Shqipëri është bërë diçka e zakonshme që polici nuk ua shpjegon personave të ndaluar të drejtat e tyre. Kushtet e arrestit shpesh kanë qenë të këqia. Në disa raste, për shkak të mbingarkesës, mungesës së higjenës dhe të ajrit të pastër, këto kushte kanë qenë të krahasueshme me një trajtim mizor, çnjerëzor dhe degradues.

Kushtet në qelitë e policisë përgjithësisht kanë qenë edhe më të këqia se sa në burg. Të miturit shpesh nuk mbahen të ndarë nga të rriturit. Amnesty International përmend raste kur të arrestuarit nuk kanë krevatë ose dyshekë, qelitë kanë dritë dhe ventilim minimal dhe kanë qenë pa ujë. Autoritetet morën masa për të luftuar trafikun e grave dhe të vajzave për shfrytëzim seksual si dhe shitjen e fëmijëve bandave kriminale, por numri i personave të shpallur fajtorë nga gjykata ka qenë i vogël.

Gjendja e të drejtave të njeriut në Kosovë

Për sa i përket Kosovës, në raport thuhet se UNMIK-u arrestoi dhe ngriti akuza kundër disa ish anëtarëve të UCK-së për krime të kryera në vitet 1998 dhe 1999. Në muajin dhjetor 4 ish anëtarë kryesorë të UCK-së u dënuan me 3 deri 15 vjet burg për arrestimin dhe vrasjen e paligjshme të 4 shqiptarëve në qershor 1999.

Gjatë gjithë vitit 2002, vazhduan sulmet kundër pakicave nga ana e grupeve raciste, megjithëse në shkallë më të vogël se sa në vitet e mëparshme. Pakicat u përballën me diskriminime për sa i përket punësimit, kujdesit shëndetësor dhe edukimit. Të paktë ishin personat e shpërngulur që u kthyen megjithëse numri i tyre pati një farë rritjeje.

Gjatë vitit 2002 u bë pak përparim në identifikimin e personave të zhdukur dhe të rrëmbyer por pati disa zhvarrime. Megjithatë, pak hapa u bënë për të hetuar rreth fatit të rreth 4000 rasteve të zhdukjeve dhe rrëmbimeve, sidomos të atyre që lidhen me rreth 1,200 serbët romët dhe pjestarëve të pakicave të tjera pas hyrjes së KFOR-it në Kosovë.

Gjatë vitit 2002 vazhdoi trafikimi i grave dhe vajzave në Kosovë për qëllime prostitucioni megjithë forcimin e masave për ta luftuar këtë dhe për mbrojtjen e viktimave.

Gjendja e të drejtave të njeriut në Maqedoni

Përsa i përket Maqedonisë, në raport thuhet se ndonëse gjendja e të drejtave të njeriut vazhdoi të përmirësohet, gjatë vitit 2002 ka patur raste të dyshuara si ekzekutime pa gjyq, përdorim pa kriter i armëve nga ana e zyrtarëve të policisë që çoi në humbje jete dhe kanë vazhduar njoftimet për torturime dhe keqtrajtime nga policia.

Ka patur gjithashtu njoftime për sulme nga ana e personave të panjohur që dyshohet se kanë qenë të lidhur me forcat e sigurimit. Kërcënime ka patur ndaj mbrojtësve të të drejtave të njeriut dhe janë sulmuar gazetarë të opozitës. Në janar, pati kritika të vazhdueshme ndaj Komitetit të Helsinkit, në shtyp dhe në televizionin maqedonas. Këto kritika u bashkërenduan nga anëtarë të kabinetit qeveritar, mes së cilëve edhe Kryeministri dhe Ministri i Brendshëm. Ndërkohë, anëtarë të grupeve të armatosuar, pjesa më e madhe e të cilëve besohej se ishte e lidhur me pjesëtarët e mbetur të Ushtrisë Clirimtare Kombëtare, kryen vazhdimisht keqtrajtime, përfshirë vrasje.

Në periudhën para zgjedhjeve tensionet u rritën, nga vrasja e disa ish-anëtarëve të UcK-së nga shqiptarë rivalë, vrasja e dy policëve nga persona të armatosur në Gostivar, rrëmbime, dhe një sërë sulmesh me bomba dhe granata ndaj selive të partive shqiptare. Megjithatë zgjedhjet u zhvilluan pa incidente të rëndësishme.//kk//

XS
SM
MD
LG