Lidhje

Mirënjohja, shtysë për mbështetjen e Evropës Qendrore dhe Lindore ndaj SHBA - 2003-05-29


Përse vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore, midis Parisit dhe Washingtonit, zgjodhën aleancën me kete te fundit gjatë luftës në Irak? Duke ju referuar fakteve historike, profesor Vladimir Tishmunianu, autor i disa librave për problemet e Evropës Lindore thotë se këto vende u janë mirënjohëse Shteteve të Bashkuara për rolin që luajtën në momente kyçe të historisë së tyre.

Në një takim në Qendrën Woodrow Wilson për studiuesit ndërkombëtarë në Washington, profesor Tishmunianu i bëri një analizë qëndrimit të vendeve evropiane ndaj Shteteve të Bashkuara pas vitit 1990, kur përfundoi Lufta e Ftohtë.

Disa vende evropiane, si Franca, Gjermania, Rusia, apo Greqia, tha zoti Tishmunianu, në disa raste kanë shfaqur hapur një qëndrim anti-amerikan. Nga ana tjetër, vendet e Evropës Lindore dhe Qendrore janë pro-amerikane dhe këtë ato e treguan edhe së fundi, me qëndrimin ndaj luftës së Irakut. Këto vende, tha zoti Tishmunianu, të ndodhur midis Parisit dhe Washingtonit, zgjodhën aleancën me Shtetet e Bashkuara. Përse e bënë ato këtë zgjedhje?

Studjuesi Tishmunianu, ju referua me këtë rast historisë. Ishin pikërisht vendet e Evropës Lindore dhe Qendrore që vuajtën pushtimin nazist, dhe më pas, diktaturën komuniste. Këto vende u janë mirënjohëse Shteteve të Bashkuara për rolin e tyre vendimtar në luftën për çlirimin e tyre nga nazizmi dhe më pas nga diktaturat komuniste, thotë profesori. Zoti Tishmunianu tha se vendet e Evropës Lindore dhe Qendrore kanë akoma të freskët momente të harresës dhe mosndërhyrjes së disa vendeve të Evropës Perëndimore në çaste kritike të historisë së tyre dhe këtu ai përmendi edhe rastin e Kosovës.

Qëndrimi indiferent i disa vendeve evropiane gjatë spastrimit etnik dhe krizës së refugjatëve në Kosovë, tha studjuesi, u kujtuan vendeve të Evropës Lindore dhe Qendrore momente te ngjashme te historise se tyre. Këtu ai përmendi pushtimin e Çekosllovakisë nga Bashkimi Sovjetik dhe me këtë rast kujtoi qëndrimin e udhëheqësit francez Charles de Gaule, që u shpreh në ato vite:”Nuk është puna jonë të ndërhyjmë, para së gjithash, kemi të bëjmë me një grindje brenda familjes.” “Orjentimi pro-amerikan i vendeve të Evropës Lindore dhe Qendrore gjatë viteve 2002-2003, lidhet direkt me rolin e Shteteve të Bashkuara dhe ndërhyrjen ushtarake amerikane në Kosovë në vitin 1999, pikërisht 10 vjet pas përfundimit të Luftës së Ftohtë. Këto vende e kuptuan se Shtetet e Bashkuara jo vetëm që ishin një fuqi e madhe politike dhe ushtarake por edhe një mbrojtëse kryesore e të drejtave të njeriut kundër tiranisë, thotë studjuesi.”

Kriza e Kosovës, tha zoti Tishmunianu, gjithashtu bëri qe vendet e Evropës Lindore dhe Qendrore ta shikonin me dyshim fuqinë ushtarake të shteteve evropianoperëndimore.

”Në momentet e krizës humanitare në Kosovë, -thotë zoti Tishmunianu,- politika e spastrimit etnik dhe gjenocidit nuk u ndalua nga trupat evropiane. Njësitë ushtarake hollandeze dhe franceze nuk ndërhynë për të ndalur spastrimin etnik. Pikërisht në këto momente ndërhynë Shtetet e Bashkuara, për t’i dhënë fund politikës së spastrimit etnik të Sllobodan Millosheviçit.”

Në ato momente, tha studjuesi Tishmunianu, u duk mjaft qartë se Evropa Perëndimore nuk është e aftë të gjenerojë një forcë ushtarake të efektshme, pa kontributin amerikan. Prandaj, tha ai, vendet e Evropës Perëndimore e kanë të qartë rolin tepër të rëndësishëm të Shteteve të Bashkuara në NATO.//kk//

XS
SM
MD
LG