Lidhje

Udhëheqësi izraelit dhe ai palestinez bisedojnë për planin e paqes - 2003-05-29


Kryeministri i Izraelit, Ariel Sharon, dhe homologu i tij palestinez, Mahmoud Abbaz, kanë zhvilluar bisedime që janë përshkruar si pozitive, ndërkohë që ata përgatiten për takimin e nivelit të lartë të javës së ardhëshme me Presidentin Bush lidhur me “hartën rrugore” drejt paqes. Gjatë takimit të tyre prej dy orësh e gjysmë dje, të dy udhëheqësit ranë dakord për të marë disa masa për uljen e tensionit.

Zoti Sharon tha se do të lehtësojë kushtet e udhëtimit për palestinezët dhe të lirojë disa të burgosur palestinezë. Ai tha gjithashtu se trupat izraelite do të tërhiqen nga disa zona të Bregut Perëndimor dhe të Rripit të Gazës për të lejuar forcat palestineze të sigurimit që të marrin në dorë vendosjen e rendit. Por ai këmbënguli që zoti Abbaz të godasë ekstremistët palestinezë.

Zoti Abas tha më herët dje se po punon për forcimin e sigurimit dhe pret që të arrihet një marrëveshje për armëpushim me grupin Hamas. Javën e ardhëshme, zoti Sharon dhe zoti Abbaz janë ftuar të marrin pjesë në një takim të nivelit të lartë me Presidentin Bush në qytetin port të Jordanisë, Aqaba, për të diskutuar “hartën rrugore” drejt paqes.

Zoti Bush ka në plan të takohet me udhëheqësit arabë në vendpushimin egjiptian, Sharm el-Shaikh, në brigjet e Detit të Kuq, një ditë para bisedimeve në Aqaba.//ic//

XS
SM
MD
LG