Lidhje

Maqedoni: BDI përshëndet heqjen nga Urdhëri Ekzekutiv i  Presidentit Bush të udhëheqësve kryesorë saj - 2003-05-30


Bashkimi Demokratik për Integrim, parti në pushtet në Maqedoni, e kryesuar nga Ali Ahmeti, përshëndeti sot hqjen nga urdhëri ekzekutiv i presidentit amerikan, të kryetarit të saj dhe dy udhëheqësve të saj të lartë, Gëzim Ostreni dhe Fazli Veliu. Nënkryetarja e kësaj partie, Teuta Arifi, i tha Zërit të Amerikës, se me këtë vendim njihet roli konstruktiv i Bashkimit Demokratik për Integrim, dhe vecanërisht roli kontruktiv i zotit Ahmeti në realizimin e marrëveshjes së Ohrit dhe në stabilizimin e plotë të gjendjes.

" Bashkimi Demokratik për Integrim, në fakt asnjëherë nuk ka patur ndonjë dyshim përsa i përket partneritetit strategjik që kemi konceptuar në politikën tonë të jashtme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe me këtë vendim, në fakt vetëm është dëshmuar edhe një herë ky orientim dhe ky parim i fortë i realizimit të partneriteteve strategjike gjithmonë në emër të paqes dhe stabilitetit në rajon.",- tha zonja Arifi.

Zonja Arifi nuk dëshironte të komentonte përfshirjen në urdhërin ekzekutiv të presidentit amerikan të 7 shqiptarëve nga Maqedonia, duke thënë se ato janë vlerësime të qeverisë amerikane dhe autoriteteve që ndërtojnë politikën e jashtme të këtij vendi.

Nënkryetarja e Bashkimit Demokratik për Integrimin, Teuta Arifi, konfirmoi se kryetari i kësaj partie, Ali Ahmeti, do të vizitojë Shtetet e Bashkuara muajin e ardhshëm për një seri takimesh zyrtare.

" Zoti Ahmeti do të qëndrojë në Washington në takime zyrtare, në të cilat do të bisedohet dhe do të trajtohen cështje që i dedikohen stabilitetit të rajonit, realizimit të plotë të Marrëveshjes së Ohrit dhe rolit të rëndësishëm të Shteteve të Bashkuara në realizimin e këtyre objektivave të përbashkëta strategjike për rajonin.",- tha zonja Arifi.

Në urdhërin ekzekutiv të presidentit amerikan është përfshirë edhe ish-Ministri i Brendshëm maqedonas, Lube Boshkovski, aktualisht deputet në Parlamentin e Maqedonisë, i cili ka thënë sot për median maqedonase se nuk ka lidhje me këtë zhvillim. Zyra për kontrollin e pasurive të huaja në Departamentin amerikan të Shtetit, bëri të ditur mbrëmë një urdhër të ri ekzekutiv, i cili ndryshon atë të 27 qershorit të vitit 2001, në lidhje me personat që konsideroheshin si kërcënim për përpjekjet ndërkombëtare për stabilizimin e rajonit. Këtyre personave u mohohej mbështetja financiare dhe materiale.

Në listën e re gjenden emra të rinj, ndërkohë që kanë mbetur një numër personash që ishin përfshirë në listën e mëparshme. Në këtë urdhër ekzekutiv të Presidentit amerikan, nga Maqedonia, janë përfshirë 7 shqiptarë: Xhevat Ademi, Gafur Adili, Nevzat Halili, Xhavit Hasani, Kastriot Haxhirexha, Izair Samiu dhe Daut Rexhepi.// lk //

XS
SM
MD
LG