Lidhje

SHBA paralajmërojnë qytetarët amerikanë në Rripin e Gazës për komplote të mundshme - 2003-05-30


Vetëm pak orë pasi udhëheqësit izraelitë dhe palestinezë ranë dakord të ndërmarrin hapa për të ulur tensionet, Shtetet e Bashkuara i paralajmëruan qytetarët e tyre për mundësinë e komploteve për të rrëmbyer amerikanë në Rripin e Gazës.

Ambasada amerikane në Tel Aviv tha sot se ka marrë njoftime të besueshme për komplote të mundshme rrëmbimi kundër qytetarëve amerikanë në Rripin e Gazës. Amerikanët i këshillojnë të tregohen të kujdesshëm dhe nëse është e mundur, t’u shmangen udhëtimeve në Izrael dhe në territoret e pushtuara palestineze.

Dje në mbrëmje, kryeministri izraelit Ariel Sharon dhe homologu i tij palestinez, Mahmud Abas, u takuan në Jeruzalem, para takimit të planifikuar të nivelit të lartë të javës së ardhshme në Jordani me Presidentin Bush, për bisedime mbi planin e ri të paqes.

Izraeli ra dakord të lehtësojë disa prej kufizimeve të udhëtimit ndaj palestinezëve dhe të lirojë një numër të burgosurish. Israeli tha se 25 mijë palestinezë do të lejohen të kthehen në vendet e tyre të punës në Izrael.

Nga ana e tij, zoti Abas ka thënë se është afër arritjes së një marrëveshjeje armëpushimi me grupin Hamas, i cili ka marrë përgjegjësinë për shumicën e shpërthimeve vetëvrasëse kundër izraelitëve, gjatë dhunës 32 mujore.

Sekretari amerikan i Shtetit, Kolin Pauëll, i cili po shoqëron Presidentin Bush, u përpoq të mos ngjallte shpresa për arritje të rëndësishme në takimin e nivelit të lartë të javës së ardhshme në Jordani. Sekretari Pauëll tha se tensionet dhe mosbesimi midis izraelitëve e palestinezëve janë të larta, por shtoi se procesi i paqes duhet të rifillojë. Megjithë uljen e tensionit politik, dhuna në Lindjen e Mesme vazhdoi edhe sot. Një palestinez u vra, ndërkohë që po përpiqej të hynte në Izrael nga Rripi i Gazës.// lk //

XS
SM
MD
LG