Lidhje

Sot është dita botërore kundër duhanit - 2003-05-31


Sot është dita botërore kundër duhanit. Ky rit i përvitshëm është pjesë e përpjekjeve, që synonjnë të ulin kërcënimet që pirja e duhanit ka për shëndetin e njerërze. Këto përpjekje u kurorëzuan javën e kaluar me nënshkrimin nga të 192 vendet anëtarë të Organizatës Botërore të Shëndetësisë në Gjenevë të një traktati të quajtur Konventa Kornizë për Kontrollin e Duhanit. Konventa në fjalë është dokumenti i parë ndërkombëtar i negociuar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe hyn në fuqi pasi të paktën 40 vende ta pranojnë atë si ligj.

Traktati do tu kërkonte këtyre vendeve që të ndalojnë ose kufizojnë reklamat si dhe përpjekjet e kompanive prodhuese për të reklamuar produktet e tyre në publik. Traktati do të kërkojë gjithashtu që paralajmërimi për rrezikun ndaj shëndetit të zëjë të paktën 1 të tretën e paketës së duhanit. Traktati nxit qeveritë e vendeve nënshkruese të forcojnë ligjet që kufizojnë pirjen e duhanit në mjedise të mbyllura, të rrisin taksat mbi duhanin dhe të ndalojnë tregtinë e paligjshme të duhanit.

Organizata Botërore e Shëndetësisë thotë se rreth 5 milion veta vdesin çdo vit nga duhani. Sipas llogaritjeve të kësaj organizate, rreth 10 milion vetë mund të vdesin nga duhani në vitin 2020. Numri më i lartë i vdekjeve do të ndodhë në vendet në zhvillim, ndërkohë që pirja e duhanit në shumë vende në zhvillim po shtohet. Pirja e duhanit shkakton kancer në mushkëri, sëmundje të tjera dhe dëmton fëmijët gjatë shtatzanisë. Madje, edhe personat, që nuk e pijnë duhanin, mund të vdesin, kur ata ndodhen vazhdimisht në një mjedis ku pihet duhan.

Traktati i luftës kundër duhanit është kurorëzim i katër vjet bisedimesh. Tani u përket vendeve nënshkruese ta nënshkruajnë këtë traktat dhe tu kërkojnë qeverive të tyre ta miratojnë atë. Përfaqësues të shumë vendeve, mes tyre të Bashkimit Europian, Kinës dhe Japonisë thanë se qeveritë e tyre do të ndërmarrin masa për ratifikimin e shpejtë të këtij dokumenti.

Nuk është i qartë qëndrimi i Shteteve të Bashkuara. Sekretari i Departamentit të Shëndetsisë, Tommy Thompson, tha se zyrtarët në Washington po e shqyrtojnë dokumentin në fjalë. Kongresi duhet të ndryshojë ligjet mbi duhanin para se të miratohet traktati. Çështja kryesore është se sa kompetenca ka qeveria për të kufizuar reklamat për duhanin pa shkelur Kushtetutës. Dhe pikërisht kjo çështje ka bërë që Shtetet e Bashkuara të parashtrojnë rezerva për disa pjesë të traktatit.

//ze//

XS
SM
MD
LG