Lidhje

Dëmtohet ujësjellësi i Kukësit - 2003-05-31


Gjatë mesnatës së kaluar, njerëz të paidentifikuar kanë vendosur një sasi lënde shpërthyese në ujësjellësin e Kukësit, duke ndërprerë furnizimin me ujë për rreth 35 mijë banorë. Policia ka shoqëruar 3 përsona, por ende nuk ka qartësuar motivet e ngjarjes. Ky është shpërthimi i katërt në ujësjellësin e Kukësit që pas vitit 1997.

Dëmtimi i ujësjellësit të Kukësit ndodhi rreth orës 23 të natës së kaluar dhe si rrjedhoje është ndërprerë uji i pishëm per banorët e qytetit të Kukësit dhe fshatrave përreth tij. Ende nuk është përcaktuar sasia e lëndës shpërthyese, që është përdorur për të hedhur ne erë një segment te tubacionit kryesor te ujësjellësit.

Një punonjës i ndërmarrjes së ujësjellësit të Kukësit tha për Zërin e Amerikës se shpërthimi ndodhi në zonën e fshatit Kolesian, ku gjendet burimi i ujit të pishëm dhe se dëmi është mjaft i madh. Ështe dëmtuar një tub rreth 2 metër i ujësjellësit.

Ndërkohë, policia e Kukësit njoftoi se në lidhje me ngjarjen ka shoqëruar në mjediset e komisariatit të policisë 3 përsona, banorë të fshatit Kolesian, ku ka ndodhur shpërthimi. Deri tani policia nuk ka dhënë ndonjë njoftim në lidhje me motivin e ngjarjes, ndërkohë që në mesditë, dega vendore e partisë demokratike në Kukës, gjatë një konference për shtyp, kërkoi kapjen dhe dënimin e shpejtë të autorëve, duke u shprehur se ngjarje te tilla ndodhin në Kukës gjithmonë në prag të fushatave elektorale.

Shpërthimi i mbrëmshëm në ujësjellësin e Kukësit është i katërti, që nga viti 1997. Të katër shpërthimet kanë ndodhur në zonën e fshatit Kolesian, ku gjendet edhe burimi i ujësjellësit. Por, herë pas here, grupe banorësh të këtij fshati kanë zhvilluar edhe protesta duke bllokuar për ditë të tëra ujin e pishëm. Gjatë këtyre protestave, mes fshatarëve dhe forcave te policisë vendore, janë rregjistruar edhe incidente me armë. Në qendër të këtyre protestave kanë qenë kërkesat e fshatarëve, drejtuar qeverise, për kompensim për dëmin, që sipas tyre, i është shkaktuar ekonomisë së fshatit nga shfrytëzimi i burimit ujor.

Ndërkohë, shpërthimi i fundit në ujësjellësin e Kukësit ndodhi me 7 korrik të vitit 2001, përpara raundit të dytë të zgjedhjeve të fundit parlamentare, në një kohë kur tensionet politike në Kukës ishin rritur së tepermi.

//ze//

XS
SM
MD
LG