Lidhje

Evian: çështjet e zhvillimit - vend qendror - 2003-06-01


Çështjet e zhvillimit dhe të tregtisë zunë një vend qendror në ditën e parë të takimit të tetëshes në Evian të Francës, ku janë mbledhur udhëheqësit e 7 vendeve më të industrializuara plus Rusinë.

Udhëheqësit e tetëshes po përpiqen të krijojnë një front të përbashkët për zgjidhjen e problemeve të tilla si varfëria dhe sëmundjet në Botën e Tretë.

Presidenti francez, Zhak Shirak kishte kërkuar me insistim dhe kolegët e tij ranë dakord, se tetëshja duhet të ftonte udhëheqësit e disa vendeve kryesore në zhvillim për të marrë pjesë në një drekë pune me ta për të debatuar rreth çështjeve të tilla si barrierat tregtare, sida dhe rritja ekonomike në botën e tretë.

Pjesërisht, kjo u bë për t’ju përgjigjur kritikave të atyre që protestojnë kundër globalizimit, të cilët thonë se tetëshja është një klub të pasurish i cili nuk bën sa duhet për t’u kujdesur për nevojat e vendeve më të varfër.

Por ajo u motivua edhe dëshira e presidentit francez për ta hequr vemendjen e medias nga mosmarrëveshjet e thella midis udhëheqësve të tetëshes lidhur me luftën në Irak, mosmarrëveshje që ende ekzistojnë, megjithë buzëqeshjet dhe shtrëngimet e duarve në ditën e parë të takimit.

Të pranishëm në drekën e punës ishin edhe presidentët e Kinës, Meksikës dhe Brazilit si dhe kryeministri i Indisë.

Aty ishte edhe sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Kofi Annan, i cili edhe një herë i bëri thirrje tetëshes të heqë barrierat e importeve nga vendet e varfëra dhe të ulë subvencionet bujqësore për fermerët e vendeve të saj.

Zoti Shirak synon ta bëjë Afrikën dhe problemet e sja një përparësi kryesore. Një sesion i dytë i takimit u përqendrua krejtësisht tek kontinenti më i varfër i botës. Presidenti francez tha se vendet e pasuraduhet të përpiqen të zgjidhin probleme të tilla të Afrikës si borxhi i jashtëm dhe mungesa e ujit të pijshëm.

Nga ana e tij, Presidenti Bush u bëri thirrje kolegëve të tij të veprojnë ashtu si Shtetet e Bashkuara dhe të shtojnë në mënyrë dramatike fondet për luftën kundër sidës. Pikërisht para se të nisej për në Evropë, Presidenti Bush ktheu në ligj një program i cili parashikon më se 15 miliard dollarë gjatë pesë viteve të ardhëshme për të luftuar sidën, e cila ka goditur sidomos Afrikën.

Diplomatët e pranishëm në takimin për Afrikën thanë se vemendja që po i kushtohet këtij kontinenti ishte një lajm i mirëpritur për udhëheqësit afrikanë pjesmarrës në të.

Por presidenti i Afrikës së Jugut, Thabo Mbeki, i tha takimit të tetëshes se vendet afrikane mendojnë se premtimet e ndihmave të bëra nga vendet e industrializuara në takimet e tyre të mëparshme nuk janë mbajtur.//ii

XS
SM
MD
LG