Lidhje

SHBA: dy jave afat që irakianët të dorëzojnë armët e zjarrit - 2003-06-01


Shtetet e Bashkuara po u japin irakianëve dy javë afat që të dorëzojnë armët e zjarrit, kryesisht të stilit ushtarak, por reagimi dy ditët e para të amnistisë së armëve ka qenë e dobët.

Sot, deri në mesditë, asnjë irakian nuk është paraqitur të dorëzojë armë në disa stacione policie të Bagdadit që janë caktuar si pika gumbullimi. Pas skadimit të amnistisë, njësi ushtarake do të zhvillojnë kërkime shtëpi më shtëpi për armë pa leje.

Mbledhja e armëve është pjesë e përpjekjeve të koalicionit për rivendosjen e ligjit dhe rendit.

Agjencia ndërkombëtare e ndihmave, CARE, po paralajmëron se trazira masive mund të shpërthejnë, po qe se nuk ndërmerren masa të shpejta ndaj krimit ordiner dhe nëse nuk rivendoset furnizimi me energji elektrike.

A kishte Iraku arme te shkaterrimit ne mase?

Dy senatorë amerikanë thonë se duhet të zhvillohen hetime për të përcaktuar nëse burimet amerikane të zbulimit janë përdorur si duhet në ngritjen e akuzave ndaj Irakut se ka armë të shkatërrimit në masë.

Senatori republikan John McCain dhe senatori demokrat, Chriss Dodd, thanë për rrjetin televiziv ABC se besojnë që lufta në Irak ishte e justifikueshme, megjithë pikëpyejtet nëse qeveria e Sadam Huseinit kishte apo jo armë të ndaluara kimike apo biologjike.

Megjithatë, Senatori McCain tha se ai do të përkrahte hetime dypartiake të çështjes lidhur me rolin e agjencive të zbulimit. Senatori Dodd tha se janë ngritur aq pikëpyetje lidhur me pretendimet për armë të shkatërrimit në masë, sa që hetime të plota janë të justifikueshme.

Në Britani, ish-sekretarja për Zhvillimin Ndërkombëtar, Clare Short, tha për gazetën londineze, Sunday Telegraph se Kryeministri Tony Blair e ka mashtruar publikun duke krijuar një ndjenjë të shtirur emergjence në lidhje me rrezikun në Irak.

Ajo dha dorëheqjen muajin e kaluar në shenjë proteste ndaj mungesës së përfshirjes së Kombeve të Bashkuara në fazën rindërtuese të Irakut të pasluftës. Sekretari i jashtëm britanik, Jack Straw, hodhi poshtë idenë se provat për armë të shkatërrimit në masë janë ekzagjeruar.

Zoti Straw i tha televizionit BBC se informacionet e zbulimit mbi armët nuk kanë qenë të gabuara. Ai tha se provat e publikuara tregojnë qartë se Iraku kishte dhe po prodhonte armë.

Zoti Blair tha për televizionin Sky se nuk ka dyshime se do të gjenden armë të shkatërrimit në masë dhe tha se skeptikët duhet të presin ndërkohë që vazhdojnë kërkimet./ii

XS
SM
MD
LG