Lidhje

Ohër:Presidenti i Shqipërisë Alfred Mojsiu tha se Shqipëria po vazhdon negociatat për Marrëveshjen e Asocim Stabilizimit - 2003-06-02


Në Ohër të Maqedonisë u zhvillua një takim i presidentëve të pesë vendeve të Ballkanit perëndimor Shqipëri, Maqedoni, Kroaci, Bosnjë-Hercegovinë dhe Serbi-Mal i Zi. Presidentët e këtyre vendeve hartuan një deklaratë të përbashkët ku i vihet theks i veçantë synimit të tyre për integrim në BE. Lufta kundër kriminalitetit të organizuar, forcimi i stabilitetit, lëvizja e lirë e qytetarëve kanë qenë ndër temat kryesore të takimit.

Zoti Mojsiu tha se integrimi është një proces kompleks por me një të ardhme të sigurtë sepse Evropa, siç tha, është e vetëdijshme se bashkimi nuk mund të jetë i plotë pa Ballkanin

Presidenti shqiptar foli për arritjet e vendit të tij në sferën e ligjësisë dhe për atë që pritet të miratohet në të ardhmen e shpejtë. Janë shënuar përparime në ndarjen e pushtetit, forcimin e ligjeve, dhe në luftën kundër trafikut klandestin në Shqiperi bëri të ditur presidenti Mojsiu.

Ai vuri theksin në nevojën për një infrastrukturë më moderne, zhvillimin ekonomik, krijimin e vendeve të punës, sigurinë e konkurrencës së lirë dhe luftën kundër korrupsionit. Presidenti shqiptar Mojsiu foli edhe për nevojën e qarkullimit të lirë dhe lehtësimin e regjimit të vizave. Në lidhje me takimin e nivelit të lartë që pritet të mbahet në Selanik të Greqisë, presidenti shqiptar tha se vendi i tij gjykon që ky takim është moment i përshtatshëm që Kosova të përfshihet në procesin e Asocim Stabilizimit me BE.

Presidenti maqedonas Boris Trajkovski tha se vendet e Ballkanit po përballen me një fazë të re të një projekti të rëndësishëm e ky është ndërtimi i një Evrope të plotë dhe të lirë. Zoti Trajkovski foli edhe për devijime si korrupsioni e krimi i organizuar që paraqesin kërcënim për sigurinë rajonale. Maqedonia ka arritur, sipas tij, një përparim të madh në menaxhimin me këtë të keqe të kohës së re, siç u shpreh ai.

Në deklaratën e përbashkët të hartuar nga pesë presidentët thuhet se Këshilli i Evropës në takimin e Kopenhagës në dhjetor 2002 e konfirmoi pespektivën evropiane të këtyre vendeve dhe se e ardhmja e vendeve të Programit Partneritet për Paqe: Shqipëri, Bosnjë Hercegovinë, Kroaci, Maqedoni dhe Serbi e Mal i Zi është në BE. Statusi përfundimtar i Kosovës ende nuk është zgjidhur, thuhet në deklaratë. Por ne, shkruajnë presidentët, pajtohemi që të gjithë qytetarët e Evropës Juglindore të kenë të ardhme evropiane pa përjashtim. /ss//

XS
SM
MD
LG