Lidhje

Grupi i Tetëshes kërkon nga Irani dhe Koreja e Veriut të ndalojnë programet bërthamore - 2003-06-02


Grupi i 7 Vendeve më të Industrializuara plus Rusinë po i kërkon me këmbëngulje Koresë së Veriut dhe Iranit të ndalojnë programet e tyre bërthamore. Ky grup thotë se përhapja e armëve të shkatërrimit në masë dhe terrorizmi janë rrezik i madh ndaj sigurisë në botë.

Në takimin vjetor të nivelit të lartë të Grupit të Tetëshes, i cili mbyllet sot, Presidenti Bush dhe Presidenti francez, Jacque Chirac, dhanë shenja se janë të gatshëm të lënë pas mosmarrëveshjet ndërmjet tyre lidhur me luftën në Irak.

Grupi i Tetëshes i kërkoi Koresë së Veriut që të shpërbëjë në mënyrë të dukshme, të verifikueshme dhe të paktheyshme çdo program armësh bërthamore që mund të ketë. Grupi thotë se programet e Koresë së Veriut për pasurimin e uraniumit dhe plutoniumit përbëjnë një shkelje të qartë të detyrimeve të saj ndërkombëtare.

Grupi i Tetëshes mori në shqyrtim edhe përpjekjet e dyshuara të Iranit për zhvillimin e armëve bërthamore duke thënë se republika islamike duhet të pranojë inspektime më të hollësishme të Kombeve të Bashkuara në vend dhe pa kushte. Irani e mohon se kërkon të prodhojë armë bërthamore, por Grupi i Tetëshes, siç tha Presidenti Chirac, dyshon për të kundërtën.

”Përpjekjet e Iranit për të zotëruar armë bërthamore janë shqetësuese për të gjithë vendet e Grupit të Tetëshes. Zoti Chirac thotë se ky shqetësim u theksua në mënyrë të veçantë nga Presidenti Bush, por u pranua nga të gjithë pjesëmarrësit në takim. Zoti Chirac tha se Grupi i Tetëshes shpreson se, përmes mjeteve diplomatike, Irani mund të bindet të pranojë kontrollet e nevojshme në këtë rast”.

Kryeministri italian, Silvio Berlusconi, u tha gazetarëve në një konferencë tjetër shtypi se, përkundër shqetësimeve të mëdha të Shteteve të Bashkuara lidhur me programin bërthamor iranian, Presidenti Bush i siguroi kolegët e tij të vendeve të Grupit të Tetëshes se Washingtoni nuk ka asnjë synim të ndërmarrë ndonjë veprim ushtarak ndaj Iranit.

Grupi i Tetëshes thotë se bashkësia ndërkombëtare ka nevojë të ushtrojë inspektime mbi armët, kontrolle ndaj eksporteve dhe masa të tjera të paspecifikuara, që parashikohen nga ligji ndërkombëtar, kundër kërcënimit të përhapjes së armëve bërthamore.

Paralajmërimi kundër armëve u bë të njëjtën ditë, kur presidentët Bush dhe Chirac treguan publikisht se janë pajtuar pas mosmarrëveshjeve të tyre të thella mbi luftën e udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara në Irak. Zoti Bush tha se të kesh mosmarrëveshje, nuk do të thotë të kesh antipati për tjetrin.

Zoti Chirac tha se, tani që lufta në Irak dhe pasiguritë që shkaktoi ajo, kanë marrë fund, vendet e Grupit të Tetëshes, të cilat japin gjysmën e prodhimit botëror, janë të sigurta se këtë vit do të nisë një rimëkëmbje ekonomike.

//ze//

XS
SM
MD
LG