Lidhje

Irani - kufizime të reja ndaj internetit - 2003-06-03


Regjimi fondamentalist islamik i Iranit ka vënë kufizime të reja ndaj përdorimit të internetit. Ministri i Postave dhe Telekomunikacioneve, Ahmed Motamedi, tha për një gazetë se regjimi ka bllokuar 100 faqe interneti që akuzohen se fyejnë ”besimet e feve të ndryshme”.

Megjithatë, kufizimet e qeverisë iraniane ndaj përdorimit të internetit i tejkalojnë pretendimet e saj se po parandalon sulme provokative ndaj grupeve fetare. Një agjenci iraniane studentore lajmesh citonte drejtuesin e një kompanie që ofron përdorimin e internetit, të ketë thënë se ministria ka përgatitur një listë prej 15 mijë faqesh interneti që do të bllokohen. Ndërsa shumë prej këtyre faqeve kanë përmbajtje pornografike, të tjerat kanë një orientim të caktuar politik dhe kanë lidhje të ngushta me reformatorët në Iran.

Si për të vërtetuar frikën e qeverisë iraniane ndaj qarkullimit të lirë të informacionit, thuhet se në këtë listë të faqeve të bllokuara të internetit janë përfshirë edhe ato të shërbimit pers të Zërit të Amerikës dhe të Radios Farda që sponsorizohet nga qeveria amerikane. Regjimi iranian gjithashtu ka zhurmuar transmetimet ndërkombëtare dhe ka mbyllur gazeta iraniane, pozicioni i të cilave për qeveritarët ka qenë i dënueshëm. Këto taktika shtypëse të klerikëve radikalë islamikë e kanë penguar Iranin të përparojë në sferën politike dhe atë ekonomike gjatë 20 vjetëve të fundit.

Praktika të tilla shpjegojnë se përse regjimi teokratik i Iranit ka vazhduar ta humbasë gjithnjë e më shumë mbështetjen popullore dhe përse iranianët po kërkojnë ndryshime themelore politike, përfshirë të drejtën e shprehjes së lirë dhe qarkullimin e lirë të informacionit dhe ideve.

Siç e ka bërë të qartë Presidenti Bush, Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të jenë me popullin iranian në përpjekjet e tij për liri, begati, qeverisje të ndershme dhe të efektshme, procedura të përshtatshme gjyqësore dhe shtet juridik. ”Ne, tha Presidenti Bush, vazhdojmë t’i bëjmë thirrje qeverisë së Iranit të respektojë vullnetin e popullit dhe të jetë e përgjegjshme ndaj tij”. //az//

XS
SM
MD
LG