Lidhje

Dy ilaçe të reja premtuese për kancerin - 2003-06-03


Një kurë e re kundër tumoreve ka qënë tepër e suksesshme gjatë provave klinike, veçanërisht ndaj kancerit të zorrës së trashë kur ai ndodhet në një fazë të avancuar.

Ky lloj kanceri shkakton rreth 57 mijë viktima në vit në Shtetet e Bashkuara, duke u renditur i dyti, vetëm pas kancerit të mushkërive, që shkakton 157 mijë viktima në vit.

Studimi u krye me pacientë të prekur rëndë nga kaceri i zorrës së trashë, që u ishte përhapur më tej në organizëm. Mjekët thonë se dy ilaçet e reja janë shpresëdhënëse.

Një prej ilaçeve, i quajtur Avastin, bllokon enët e gjakut që ushqejnë tumoret me oksigjen, kështuqë qelizat kancerogjene vdesin.

Deri tani, kjo metodë nëpër provat klinike kishte dalë pa rezultat. Por këtë herë mjekët e kombinuan ilaçin e ri Avastin me kimoterapinë. Si rezultat, jeta e pacientëve u zgjat me 20 muaj, nga 15 muaj që zgjatej ajo vetëm me kimoterapi.

Ilaçi tjetër i quajtur Erbituks po ashtu pengon rritjen e tumoreve. Erbitux i kombinuar me kimoterapinë arriti t’i zvogëlojë tumoret në 23 përqind të pacientëve.

Në se miratohen nga Agjencia e Kontrollit të Barnave, këto ilaçe të reja mund të dalin në treg që vitin e ardhshëm.

Një mënyrë të re për trajtimin e tumoreve fibroidë tek femrat

Xhill Mekuini ndjehet e fortë, krejt ndryshe nga dy vjet më parë, kur menstruacionet e bënin atë të ndjehej tejet e lodhur e plot dhimbje. Simptomat kryesore që ajo ndeshte ishin ishin stërgjatja e periodave ose hemoragjia e vazhdueshme, si dhe dhimbje të forta.

Pas vizitave, mjekët i thanë se çrregullimet i shkaktoheshin nga fibroidiet, tumore jo kanceroze në mitër, dhe se e vetmja mënyrë kurimi ishte heqja e mitrës me operacion apo histeroktomi. Por Xhill Mekuini zgjodhi një rrugë tjetër, ajo vendosi të merrte pjesë në një eksperiment të mjekëve kanadezë për trajtimin e fibroideve pa operacion. Kjo mënyrë e synon zvogëlimin deri në zhdukje të tumoreve jo kancerozë në mitër duke bllokuar arteret që i ushqejnë këto tumore. Gjatë një studimi të rreth 500 pacienteve, mjekët panë se kjo metodë e re e zvogëlonte masën e fibroideve 40 përqind dhe mbi 80 përqind e grave pjesmarrësve në studim treguan shenja të dukëshme përmirësimi.

Mjekët thonë se përparësia më e rëndësishme e kësaj mënyre të re trajtimi është se me mënyrën kirugjike të trajtimit të fibroideve, shanset e femrës për të lindur fëmijë zhduken plotësisht, ndërsa të dhënat kanë treguar se një numër grash që janë trajtuar pa operacion, kanë mundur të lindin fëmijë.

Firma Novartis AG siguroi miratimin nga Agjencia federale e ilaçeve për nxjerrjen në treg të ilaçit Lescol dhe Lescol XL. Këto dy ilaçe ndihmojnë në uljen e nivelit të kolesterinës duke parandaluar ngushtimin e venave tek pacientët që vuajnë nga sëmundjet koronare të zemrës. Ilaçi i ri shitet në Amerikë vetëm me recetë nga mjeku.

Një aparat të ri që mund të zëvëndësojë procedurën e transplantimit të zemrës Mjekët e përdorin këtë pajisje për të mbajtur gjallë zemrën e pacientit deri në kohën e transplantimit me një zemër të shëndoshë. Por shkencëtarët pranë universitetit Duke thonë se ky aparat mund të shpëtojë jetën e pacientit, pa qënë nevoja e një transplantimi.

Aparati zëvëndëson punën e zemrës vetëm përkohësisht dhe kjo i jep rast zemrës që të pushojë e shlodhet. Shkencëtarët e shohin këtë si arsye që gjendja e zemrës së sëmurë përmirësohet pas heqjes së aparatit.

Gjatë kohës së vendosjes së aparatit, shkencëtarët përdorin mikroprocesorë gjenetik për të analizuar mostrat e mara nga zemra e pacientit. Në studimin e tyre shkencëtarët thonë se aparati i ri ndryshon veprimtarinë e gjeneve në qelizat e zemrës. Ata mendojnë se këto ndryshime zhvillohen në një formë të veçantë tek ata pacientë zemra e të cilëve ishte forcuar në sajë të aparatit.

Studimi është paraprak, por me kërkesat e shumta për transplantim organesh, shkencëtarët shpresojnë që studimi i tyre do të çojë në përqasje të reja për trajtimin e sëmundjeve të zemrës.// lk //

XS
SM
MD
LG