Lidhje

Amerikanët në timon - 2003-06-04


Amerikanët nuk e ngasin mirë makinën. Këtë përfundim kanë arritur ekspertët të cilët merren me masat e sigurisë në autostradat e vendit.

Kohët e fundit ata realizuan një anketë për të parë se si e ngasin makinën amerikanët me shpresën se njerëzit do të ndryshojnë disa nga zakonet e këqia kur janë në timon. Nga anketa del se 91 përqind e atyre që ngasin makinën në Amerikë, pavarësisht nga mosha, gjatë gjashtë muajve të fundit kanë bërë të paktën një gjë të palejueshme në timon.

Prej tyre, 73 për qind thonë se kanë kaluar kufirin e lejuar të shpejtësisë, 59 përqind se kanë ngrënë duke ngarë makinën, 37 përqind se kanë folur në telefon celular, ndërsa 14 përqind se kanë lexuar në timon.

Në rast se ai që nget makinën bën diçka që ja zhvendos vemendjen nga timoni, kjo është me shumë rrezik, thotë eksperti Matill Williams, drejtor në Shoqatën Amerikane të Automobilëve.

Ai thotë se anketa u organizua për shkak të një fakti të thjeshtë: se gjatë vitit të kaluar, në rrugët dhe autostradat e Amerikës humbën jetën 42,850 veta. Ky është niveli më i lartë i vdekjeve që nga viti 1990. Sipas tij, gjysma e të gjitha aksidenteve ishin pasojë pikërisht e mos përqendrimit të njerëzve në timon.

Aksidentet rrugore janë shkaku numër një i vdekjeve të njerëzve nga mosha 1 deri në 33 vjeç në Amerikë. Ne humbim më shumë njerëz në vit nga aksidentet rrugore se sa humbi Amerika në të gjithë Luftën e Vietnamit, prandaj për ne kjo është një tragjedi e vërtetë, thotë Williams.

Gjatë 10 vjetëve të kaluar, thotë zoti Williams, inxhenjerët i kanë makinat dhe kamionët shumë më të sigurt, duke i pajisur me jastëkë ajri, me frena të pabllokueshme dhe me sisteme mbrojtëse për goditjet anësore. Por natyrisht, mënyra më e mirë për të mos u dëmtuar në një aksident është në radhë të parë të mos jesh fare viktimë e një aksidenti. Dhe kjo, sipas zotit Williams, do të kërkojë që amerikanët të reflektojnë seriozisht për zakonet e tyre të këqia kur ngasin makinën.

Shumica e njerëzve, kur mendojnë për veset e këqia në ngarjen e makinës, zakonisht u shkon mendja tek të tjerët dhe jo tek vetja. Pra, ata gjithnjë medojnë: unë vetë e ngas makinën shumë mirë, por fajin e kishte ai tjetri. Ose ata mendojnë: kur unë ha ose përdor celularin në makinë nuk ka gjë të keqe sepse unë di se çfarë bëj, i rrezikshëm është ai tjetri. Prandaj mendojmë se njerëzit kanë nevojë të kujtohen për disa nga zakonet bazë në ngarjen e makinës, thotë Williams.

Për këtë qëllim, Shoqata Amerikane e Automobilëve ka hapur një faqe në internet ku i fton njerëzit t’u përgjigjen disa pyetjeve lidhur me praktikat e ngarjes së makinës dhe të japin vullnetarisht provimin e patentës.

Natyrisht, provimi i patentës nuk kërkohet me ligj përveç rasteve kur ajo ka skaduar. Mirëpo, shumë amerikanë në fakt kanë vite që i kanë harruar zakonet e mira të ngarjes së makinës, prandaj nuk do të ishte keq ta provonin veten përsëri.

Natyrisht, çdo vend i botës ka ligjet e tij për sigurinë e autostradave. Por nëse dëshironi të shikoni, thjesht për kuriozitet se sa të rrënjosura i keni ju zakonet e mira të ngarjes së makinës, provoni pyetësorin në këtë faqe interneti: www.safedrivingtest.com.

XS
SM
MD
LG