Lidhje

Filmi dokumentar 'Një Jetë Normale' me temë nga Kosova fiton çmim në Trebika - 2003-06-04


Shtatë të rinj nga Kosova janë në qendër të subjektit të një filmi të ri dokumentar që ka tërhequr vëmendjen e kritikës këtu në Shtetet e Bashkuara. Luftrat ballkanike të viteve ’90 nuk janë një temë e re për Hollivudin, por dokumentari A Normal Life, Një Jetë Normale, sjell një këndvështrim krejt të veçantë mbi ndikimin e konfliktit të vitit ’99 në jetën e shtatë të rinjve, si një pasqyrë e vogël e dramës që përjetoi në atë periudhë mbarë shoqëria e Kosovës. Dokumentari fitoi çmimin e parë në kategorinë e dokumentarit në Festivalin e Filmit Tribeka.

Filmi A Normal Life, Një Jetë Normale, filloi si një projekt sa spontan aq edhe idealist. Natoja sapo kishte filluar fushatën e saj ajrore të vitit 1999, kur autorët e filmit, Elizabeth Vasereli dhe Hugo Berkley, studentë në Universitetin Princeton vendosën të shkonin në Kosovë për të ndjekur nga afër ngjarjet.

“Ky ishte një moment shumë i rëndësishëm në histori dhe menduam se kishte zhvillime që nuk po pasqyroheshin nga shtypi” Në momentin kur dy autorët e filmit arritën në Kosovë, çdo gjë ishte ende e pakristalizuar. E kaluara e regjimit serb po merrte fund dhe një e ardhme e panjohur priste mbarë Kosovën. Përsëri Elizabeth: “Është shumë e vështirë të pasqyrosh diçka që nuk është përcaktuar ende. Vetë statusi i Kosovës ende nuk është përcaktuar. Personazhet në film, po ashtu, përpiqen të zbulojnë se cili do të jetë roli dhe misioni i tyre në Kosovën e të ardhmes,” thotë Elizabeth.

Realiteti i ri ishte po aq i panjohur për popullin e Kosovës sa edhe për vetë autorët e filmit. Ngjarjet fillojnë të shpalosen gradualisht me njohjen e tyre me shtatë të rinj nga Kosova, të cilët bëhen personazhet kryesore të dokumentarit dhe zëdhënës të së resë që po lind në Kosovë. Kjo bën që edhe vetë subjekti i filmit të rrjedhë natyrshëm, thuajse pa ndërhyrjen e regjizorëve. Kjo, siç shprehet regjizori Hugo Berkley, ishte edhe një ndër arsyet e suksesit të filmit në Festivalin Tribeca: “Mendoj se suksesi e kishte burimin në atmosferën intime që pasqyrohet në të. Ne nuk shkuam atje me ide të kristalizuara. Publiku në një farë mënyre e mirëpriti faktin që filmi shtjellohet vetë gjatë xhirimeve, me forcimin e miqësisë dhe respektit që kemi për personazhet.”

Një nga personazhet e filmit, Ylber Bajraktari, mendon se filmi arriti të ketë sukses falë këndvështrimit të veçantë që sollën autorët para spektatorit perëndimor: “Këtu në Amerikë ose në Evropë njerëzit kishin rast të shikonin vetëm pamje të refugjatëve, pleqve dhe grave me fëmijë, por jo të rinj si ata që jetojnë në Washington, NY, Bruksel, Paris, njerëz që komunikojnë në internet, që ndjekin modën.” Filmi, thotë Ylberi shërben njëkohësisht për të njohur opinionin ndërkombëtar me përvojat që shoqërohen me konfliktet, pra si ndikon konflikti mbi një popullatë të tërë, si dhe për të bindur Perëndimin në drejtësinë e luftës së shqiptarëve: “Besoj se gjëja më e mirë që bëri filmi është se pasqyroi në mënyrë reale vuajtjet e shqiptarëve të Kosovës para luftës, në të njëjtën kohë bëri një shërbim shumë të mirë që i siguroi opinionin ndërkombëtar se lufta ishte e drejtë.”

Jeta e personazheve të dokumentarit merr formë nga ngjarjet që pasojnë tërheqjen e forcave serbe pas fushatës së Natos në vitin ’99. Tina dhe Beni vazhdojnë punën si gazetarë në Kosovë. Kaltrina angazhohet në luftën kundër drogës, një ndër problemet e shumta shoqërore me të cilat ndeshet shoqëria në Kosovën e pas-luftës. Rrusta, edhe tani, ashtu si para konfliktit, përdor muzikën si përçuese të emocioneve dhe përjetimeve të tij. Dritoni shpreson se do të arrijë një jetë normale që do të shlyejë kujtimet e luftës. Ndërsa, Ylberi erdhi në Shtetet e Bashkuara për të ndjekur studimet e larta, ndërkohë që punonte si gazetar pranë Shërbimit Shqip të Zërit të Amerikës. Linda ndodhet në Nju Jork ku po vazhdon studimet pasuniversitare në sociologji.

Autorët e filmit theksojnë se dokumentari Një Jetë Normale është një projekt i përfunduar, por shtojnë se do të kishin dëshirë të shihnin çfarë drejtimi do të marrin personazhet e tij pas një periudhe disa vjeçare: Ja ç’thotë regjisori i filmit: “Ka shumë çështje që pasqyrohen në film, të cilat do të zgjidhen gjatë një periudhe 10-15 vjeçare. Shpesh ne mendojmë se do të ishte me interes që të ktheheshim pas 20 vjetësh dhe të shohim se si secili nga këto personazhe ka ndikuar në të ardhmen e Kosovës.”

Ndërsa për Ylberin, nuk ka dyshim se Kosova është një pafundësi temash për dokumentarë në të ardhmen, por mbi të gjitha është një shembull pozitiv i mbijetesës dhe triumfit pas konfliktit: “Në përgjithësi është ideja që Kosova është histori e suksesshme e përfshirjes ndërkombëtare dhe se si ka arritur secili ta rindërtojë jetën e tij pas luftës.” /al/

XS
SM
MD
LG