Lidhje

Kalendari Historik, 31 maj - 2003-06-04


Më 31 maj 1821, klerikë dhe udhëheqës politikë vendorë nga qytetet në brigjet lindore të Shteteve të Bashkuara morën pjesë në ceremoninë e përurimit të katedrales së parë katolike të Amerikës. E ndërtuar në qytetin Baltimorë të shtetit Marilend, katedrales iu dha emri i Shën Mërisë. Arkitekti Benjamin Latrobe, i cili ka punuar projektet e ndërtimit të shumë objekteve në Shtetet e Bashkuara, përfshirë edhe ndërtesën e Kongresit amerikan këtu në Washington, hartoi edhe planin e ndërtimit të katedrales në Baltimore.

Zoti Latrobe e kishte të qartë se kjo katedrale do të bëhej qendër e besimtarëve katolikë në Amerikë dhe do të shërbente si simbol për të përkujtuar rolin e rëndësishëm që kanë luajtur katolikët në ndërtimin e Amerikës.

Qyteti i Baltimorës u caktua të jetë selia e parë e katolikëve në Shtetet e Bashkuara, sepse atyre u ishte lejuar të ushtronin besimin e tyre fetar në shtetin e Marilandit, për një kohë shumë të gjatë, krahasuar me vendet e tjera në Amerikë.

Më 31 maj 1889, vërshime të madha ujërash përfshinë qytetin Xhonstaun të Pensilvanisë, pas shembjes së digës në lumin Konemau. Mbi 2 mijë e 200 njerëz humbën jetën, ndërkohë që pjesë të tëra të qytetit të Xhonstaunit, përfshirë këtu edhe dyqanet, u mbuluan nga një shtresë 10 metërshe rëre dhe balte. Mirëpo qyteti u rindërtua sërish, bashkë me një sistem më të mirë për lajmërimin e qytetarëve, në rast të ndonjë katastrofe të re.

Më 1936 shirat e mëdha shkaktuan përsëri përmbytje. Qyteti përsëri u dëmtua, mirëpo shumë më pak njerëz humbën jetën - gjithsej 24. Më 1942, ushtria amerikane përfundoi një projekt për kontrollin e përmbytjeve në Xhonstaun, mirëpo përmbytjet goditën sërish këtë qytet në vitin 1977, duke shkaktuar vdekjen e 85 personave.// lk //

XS
SM
MD
LG