Lidhje

OSBE, kritika serioze ndaj Shqipërisë - 2003-06-05


Moszbatimi i ligjeve dhe një proces reformash vazhdimisht të copëtuara pengojnë ende zhvillimin e Shqipërisë. Këto vlerësime i bëri të enjten në Vjenë kryetari i zyrës së OSBE-së në Tiranë Osmo Lipponen i cili lexoi raportin për Shqipërinë përpara këshillit të përhershëm të Organizatës për Sigurinë dhe Bashkëpunimin Europian.

Ambasadori Lipponen ka qenë mjaft kritik edhe për çështjen e pronave dhe lirisë së shtypit në Shqipëri. Pikat e raportit për Shqipërinë që ambasadori i OSBE-së Osmo Lipponen paraqiti dy ditë më parë në Tiranë, duket se kanë qenë vetëm maja e ajsbergut.

Vlerësimet e tij të paraqitura të enjten përpara Këshillit të Përhershëm në Vjenë ishin shumë herë më kritike. Duke iu referuar edhe raporteve të Bashkimit Europian apo Fondit Monetar bëhet një prezantim i zymtë i disa zhvillimeve politike dhe ekonomike në vend.

Në raportin e tij ambasadori Lipponen shprehet se pavarësisht nga një numër i madh programesh të mira, strategjish kombëtare dhe legjislacionit të përparuar, zbatimi është ende jashtëzakonisht i ngadalshëm dhe përpjekjet për të ndryshuar realitetet e përditshme ekonomike e sociale ende nuk po prodhojnë një përparim të mjaftueshëm. Sipas tij zbatimi i ligjeve dhe një proces reformash të coptuara ende po e pengon zhvillimin e Shqipërisë.

Ambasadori i OSBE-së duke iu referuara FMN-së shpjegon se vështirësia kryesore në realizimin e një programi ambicioz të reformave të kërkuara që synojnë përmirësimin e qeverisjes dhe luftën kundër korrupsionit, vjen nga rezistenca e brendshme që lind nga interesat ekonomike ekzistuese të cilat preferojnë të vazhdojnë të marrin përfitime private në kurriz të mirëqenies sociale të përgjithshme.

Në raportin për Shqipërinë thuhet se favorizimi i disa kompanive me lidhje të forta, apo vënia në shenjestër e firmave të huaja, apo dhe sulmet e kohëve të fundit ndaj disa biznesmenëve të njohur nuk kanë ndihmuar në rritjen e besimit të investuesve vendas.

Ambasadori Lipponen ka shprehur shqetësim për trajtimin e cështjes së pronave si dhe të lirisë së shtypit. Për këtë të fundit ai deklaron se interesat e biznesit të medias ndërthurren me interesat e politikanëve dhe shkallën e ndikimit të ushtruar në media me qëllim fitimin e avantazheve politike. Sipas tij reklamat shtetërore janë bërë një mjet efikas për të ushtruar presion mbi median.

Sipas raportit të OSBE-së pronat dhe cështje të jera të kompensimit po zhgënjejnë shumë njerëz dhe realiteti shoqëror e ekonomik është i zymtë për pjesën më të madhe të popullsisë. Madje paralajmërohet se rritja e shpejtë e popullsisë dhe norma e lartë e inflacionit përbëjnë një rrezik të mundshm për trazira të reja shoqërore dhe politike.

Megjithatë ambasadori Lipponen vlerëson ndryshimin e sjelljes politike dhe veçanërisht përqendrimin e debatit në parlament. Pavarësisht se me afrimin e zgjedhjeve vendore klima politike është rindezur, veprimtaria e opozitës në muajt e fundit sipas raportit tregon një ndryshim, vecanërisht në qëndrimin e partisë demokratike drejt angazhimit të plotë në procesin politik për të mos i lënë mundësi shumicës, të vendosë arbitrarisht mbi çështje të ndryshme.//kk//

XS
SM
MD
LG