Lidhje

Ende shumë të panjohura për SARS-in - 2003-06-05


Sarsi është një sëmundje ende misterioze: nuk dihet se çfarë drejtimi do të marrë dhe nëse do të rishfaqet përsëri. Në një intervistë për Zërin e Amerikës, Dr. Anthony Fauci, drejtor i Institutit Kombëtar të Alergjisë dhe të Sëmundjeve Infektive thotë se është ende herët të përdoren raste të mëparshme epidemish për të përcaktuar mënyrat e luftës kundër Sarsit.

Epidemia e Sarsit, thotë Dr. Anthony Fauci, ka tërhequr një vëmendje të madhe të zyrtarëve të shëndetësisë në një pjesë të konsiderueshme të botës, megjithëse kjo sëmundje nuk ka as shtrirjen, as rrezikshmërinë që paraqet sëmundja e Sidës.

“Sëmundjeve si SIDA apo malarja vazhdojnë të jenë në qendër të vëmendjes së zyrtarëve të shëndetësisë. Për vite me radhë virusi Hiv dhe Sida kanë tërhequr një vëmendje të madhe. Por duhet të kuptojmë se epidemia e Sarsit vazhdon të zhvillohet dhe ende nuk e dimë se çfarë drejtimi do të marrë, çfarë aftësie ka, nëse do të zhduket dhe të rishfaqet përsëri vitin e ardhshëm, ose do të vazhdojë me të njëjtat ritme, apo nëse do të lindë një epidemi e re në zemër të kësaj epidemie. Pra ka shumë gjëra të panjohura. Shqetësimi që vërehet vjen nga fakti se e dimë që sëmundja përhapet përmes frymarrjes. E dimë që brenda një periudhe disa javëshe apo mujore, epidemia është shfaqur në afro 30 vende. Potenciali dhe mungesa e njohurive e bën këtë epidemi shqetësuese”, tha ai.

Mjeku shpjegon se është ende herët të përdoren raste të mëparshme epidemish për të përcaktuar mënyrat e luftës kundër sarsit, pasi nuk është e mundur t’i gjenden paralelizma kësaj sëmundjeje pa u njohur më hollësisht me të.

“Në të ardhmen do të jemi në gjendje të bëjmë krahasime të shumta ndërmjet sarsit dhe epidemive të tjera të identifikuara më parë. Por për momentin, kjo epidemi është ende në zhvillim. Ky është një infeksion i rrugëve të frymarrjes, dhe në këtë pikë i përngjet gripit. Por është i ndryshëm nga gripi pasi po të kishim të bënim me një epidemi gripi, deri tani do të kishim pasur miliona raste infektimesh në mbarë botën. Dallimi tjetër nga gripi janë ritmet e larta të vdekshmërisë. Sarsi luhatet në 9 deri në 15 për qind vdekshmëri, ndërsa në rastin e gripit, vdekshmëria nuk kalon mbi 1 apo 2 për qind”.

Dr. Fauci shpjegon se sëmundja është shoqëruar me një panik të panevojshëm, sidomos në zona të ndryshme të Kinës, ku një numër i konsiderueshëm banorësh po braktisin qytetet kryesore ku janë ndeshur raste të Sarsit.

“Ngaqë kjo është një sëmundje e re, si dhe për shkak të njoftimeve për ritmet e larta të vdekshmërisë, në disa pjesë të botës kemi vërejtur panik. Pikërisht për këtë arsye informimi i publikut duhet të jetë një ndër pikësynimet kryesore në përpjekjet për të luftuar këtë kërcënim ndaj shëndetit publik”, tha ai.

Dr. Anthony Fauci shpjegon se informimi i publikut duhet të përqëndrohet në mënyrat sesi përhapet sëmundja. Personat më të rrezikuar janë ata që kanë një të afërm të familjes të prekur nga sarsi, ose kontakte të afërta me pacientët si për shembull ekipet mjeksore, në rast se nuk pajisen me veshjet e duhura mbrojtëse si maska, doreza dhe syze.//kk//

XS
SM
MD
LG