Lidhje

Bush: do të zbulohet e vërteta për armët irakiane të shkatërrimit në masë - 2003-06-05


Presidenti Bush tha se Shtetet e Bashkuara do ta zbulojnë të vërtetën rreth armëve irakiane të shkatërrimit në masë. Duke folur të enjten para trupave amerikane në Katar, Presidenti Bush tha se forcat amerikane vazhdojnë të kërkojnë për armë të tilla, të cilat theksoi ai, regjimi i përmbysur i Sadam Huseinit fshehu nga inspektorët e Kombeve të Bashkuara.

Presidenti Bush bëri një ndalesë në Katar në përfundim të turneut të tij nëpër 6 vende të Evropës dhe Lindjes së Mesme, për të falenderuar trupat që shërbyen në luftën kundër regjimit të Sadam Huseinit. në Irak.

Ai u tha ushtarëve se si rezultat i ndihmesës së tyre, po fitohet edhe lufta globale kundër terrorizmit. Të mërkurën zyrtarë amerikanë dhe britanikë mbrojtën qeveritë e tyre kundër kritikëve, të cilët thonë se Uashingtoni dhe Londra manipuluan informacionin rreth armëve të tilla për të justifikuar ndërmarrjen e veprimit ushtarak kundër Sadam Huseinit.

Të enjten, para se të vizitonte trupat jashtë Dohës, Presidenti Bush u takua me emirin e Katarit, Sheikh Hamad bin Khalifa al-Thani. Ai u takua edhe me administratorin amerikan në Irak, Paul Bremer, dhe me komandantin e trupave amerikane në rajon, gjeneral Tommy Franks.

Ndërkohë, në një deklaratë të Komandës Qendrore amerikane thuhet se një ushtar amerikan u vra dhe 5 të tjerë u plagosën sot në qytetin irakian Faxhullah, kur një person i paidentifikuar i sulmoi ata me granada.

Blix: inspektorët e OKB-së të përfundojnë misionin e kërkimit për armë të shkatërrimit në masë

Kryeinspektori i Kombeve të Bashkuara për armët, Hans Bliks, i tha të enjten Këshillit të Sigurimit se inspektorët e OKB-së duhen lejuar të përfundojnë misionin e kërkimit për armë të shkatërrimit në masë në Irak.

Zoti Bliks, i cili do të largohet nga posti nga fundi i qershorit, tha se ende ekzistojnë mundësitë për gjetjen e të vërtetës që dëshirohet nga të gjitha palët.

Në raportin e tij të fundit që i paraqiti dje Këshillit të Sigurimit, diplomati suedez thotë se inspektorët e OKB-së nuk kanë gjetur prova për ekzistencën e armëve kimike apo biologjike në Irak.

Mirëpo, ai shtoi se shumë pyetje mbetën pa përgjigje për shkak të luftës së udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara në Irak. Shtetet e Bashkuara po krijojnë një ekip të ri, të përbërë nga ekspertë amerikanë, britanikë dhe australianë, për të vazhduar procesin e kërkimit për armë të ndaluara në Irak.//kk//

XS
SM
MD
LG