Lidhje

Paqëndrueshmëria politike në Serbi, një nga pengesat për diskutimet mbi statusin e Kosovës - 2003-06-05


Analistët e zhvillimeve politike në Serbi thonë se mosmarrëveshjet mes forcave politike dhe ndërthurja e interesave politike me krimin e organizuar, kanë krijuar një gjendje paqendrueshmërie dhe zhgënjimi. Sipas tyre, pas vrasjes së kryeministrit Zoran Djindjic, gjendja është keqësuar. Por si ndikon situata aktuale në këtë vend tek diskutimet për statusin përfundimtar të Kosovës? Sa të mëdha janë pengesat për fillimin e dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit? Këshilltari politik dhe analisti i medias, Obrad Kesic radhit pesë pengesa për fillimin e diskutimeve për statusin përfundimtar.

“Është paqëndrueshmëria politike në Beograd, paqëndrueshmëria politike në Prishtinë, mungesa e vullnetit politik ndërkombëtar për të përcaktuar vërtet se cili është statusi përfundimtar; vëmendja e kufizuar ndërkombëtare për shkak të trazirave të tjera në botë, si edhe fakti se politikanët vendas që duhet të diskutojnë për një gjë të tillë janë më të shqetësuar me interesat e tyre afatshkurtra, sesa me interesat afatgjata të Kosovës, ose Serbisë”, tha zoti Kesic.

Ai parashikon zgjedhje të parakohshme në Serbi dhe thotë se në vështrimin afatshkurtër gjithkush do të përpiqet ta manipulojë çështjen e Kosovës, për përfitime politike. Sipas zotit Kesiç, në Serbi nuk ka një politikë të qartë në lidhje me Kosovën dhe vetë politianët janë të përçarë në këtë drejtim. Duke i vendosur ngjarjet në kontekstin aktual, zoti Kesic solli si shembull vrasjen e familjes serbe, pranë Prishtinës. “Vrasja e familjes serbe në Obiliq do ta vështirësojë jashtëzakonisht fillimin e çdo lloj dialogu mes Beogradit dhe Prishtinës”, tha ai duke shtuar se një dialog i tillë nuk ka gjasa të fillojë para një ose dy vjetësh.

Zoti Kesic dhe këshilltari pranë Fondit Monetar Ndërkombëtar, Srba Antic thanë se lufta e pazgjidhur për pushtet në koalicionin qeverisës dhe lufta kundër disa segmenteve të krimit të organizuar, duke lënë të patrazuara disa të tjera e kanë ulur besimin e publikut tek qeveria dhe shpjeguan se pasiguria po e bën të pasigurt klimën për zhvillim ekonomik.

Zoti Kesic thotë gjithsesi se lufta kundër korrupsionit dhe kontrabandës duhet parë në kontekst më të gjerë duke patur parasysh se ato janë dukuri nga të cilat vuajnë edhe vendet e tjera të rajonit.

“Çdo përpjekje për t’u marrë me krimin e organizuar brenda një vendi, është e destinuar të dështojë nëse nuk luftohet në shkallë më të gjerë”.

Eksperti thotë se duhet të ketë më shumë bashkëpunim në rajon, më shumë bashkëpunim nga jashtë rajonit dhe po ashtu duhet të ketë një përpjekje të përqendruar për të mbështetur proceset dhe ndërtimin e institucioneve dhe jo thjesht individë të caktuar.//kk//

XS
SM
MD
LG