Lidhje

BE-ja bën thirrje për ruajtjen e bashkimit Serbi-Mal i Zi - 2003-06-06


Bashkimi Evropian, me anë të të dërguarit të vet Havier Solana, u tha të premten qartë Beogradit dhe Podgoricës se vetëm bashkarisht mund të integrohen më shpejt në Evropë. Kryeministri i Serbisë dhe përfaqësuesi i lartë i BE-së kanë qenë të një mendjeje se Beogradi dhe Prishtina duhet ta fillojnë sa më parë dialogun, me praninë e bashkësisë ndërkombëtare.

Në bisedë me zyrtarë më të lartë të Serbisë dhe Malit të Zi dhe të Qeverisë së Serbisë zoti Solana deklaroi se takimi i ardhshëm i nivelit të lartë i Bashkimit Evropian në Selanik është me rëndësi të jashtëzakonshme për Serbinë e Malin e Zi dhe vendet e rajonit. Prandaj ai u rekomandoi qartë Beogradit dhe Podgoricës se vetëm bashkarisht mund të integrohen më shpejt në Evropë.

Në bisedë me kryeministrin serb Zoran Zhivkoviç, zoti Solana tha se ka dëgjuar zëra sipas së cilave ndarja e Serbisë nga Mali i Zi do ta përshpejtonte integrimin në BE, por shtoi se të gjithë duhet ta kenë të qartë se qëndrimi i Brukselit është se e vetmja mënyrë për të hyrë në BE është që Bashkimi Serbi dhe Mal i Zi të mbetet i fuqishëm.

Kryeministri Zhivkoviç dhe përfaqësuesi i lartë i BE-së kanë biseduar edhe për mundësinë e fillimit të dialogut midis Beogradit e Prishtinës dhe janë pajtuar se dialogu duhet të nisë sa më parë me praninë e Bashkësisë ndërkombëtare.

Kryeministri serb u tha gazetarëve se dialogu duhet të jetë i përgatitur mirë. Por zoti Zhivkoviç saktësoi se takimi i ardhshëm i nivelit të lartë i Bashkimit Evropian në Selanik, më 21 qershor, nuk është një rast për fillimin e bisedimeve midis Beogradit e Prishtinës, dhe se bisedimet do të duhej të fillonin para ose pas Selanikut.

Qeveria serbe ka thënë edhe më parë se dëshiron të bisedohet rreth kthimit, sigurisë dhe decentralizimit, por Prishtina ka bërë të ditur se dëshiron të bisedojë vetëm rreth energjitikës dhe disa gjërave të tjera teknike, tha zoti Zhivkoviç.

Zoti Solana dënoi përsëri me forcë vrasjen e tre anëtarëve të familjes Stoliç në Obiliq duke thënë se një gjë e tillë nuk duhet të përsëritet kurrë më dhe se përgjegjësit për këtë akt kriminal duhet të çohen para drejtësisë.

I pyetur se si e shikon tani politikën e shefit të UNMIK-ut për standardet para statusit, zoti Solana është përgjigjur se kjo është një politikë solide dhe e mençur dhe se ai e mbështet atë.//kk//

XS
SM
MD
LG