Lidhje

Debat mbi vërtetësinë e informacioneve të agjencive të zbulimit për armët irakiane - 2003-06-06


Departamenti amerikan i Mbrojtjes konfirmoi se analistët e tij raportuan vitin e kaluar se nuk kishin informacione të besueshme që Iraku kishte armë kimike.

Megjithatë, një zëdhënës i Pentagonit tha se në raportin e përgatitur nga Agjencia e Zbulimit Ushtarak, thuhej se kishte informacione të tjera që linin të kuptohej se Iraku po prodhonte dhe magazinonte armë kimike.

Analistët thanë gjithashtu se nuk kishte dyshim që Bagdadi kishte aftësinë të prodhonte armë të tilla.

Një gjë e tillë u bë e ditur, në një kohë që administrata e Presidentit Bush i mohon njoftimet sipas të cilave ajo shtrembëroi të dhëna të zbulimit për të justifikuar luftën kundër Irakut.

Zyrtarët e administratës, përfshirë Sekretarin e Mbrojtjes Donald Ramsfelld, vazhdojnë të shprehen me besim, se forcat amerikane në Irak, do të zbulojnë në fund të fundit, të dhëna konkrete për armët kimike të Sadam Huseinit.

Armë të tilla nuk janë zbuluar ende dhe zyrtarët e Pentagonit tani e pranojnë se Agjencia e Zbulimit Ushtarak, në një raport sekret shtatorin e vitit të kaluar, shkruante se nuk kishte të dhëna përfundimtare se Iraku kishte prodhuar, apo magazinuar armë kimike.

Megjithatë, një zëdhënës i agjencisë tha se Pentagoni e dinte me siguri se Iraku zotëronte aftësi për të prodhuar armë të tilla. Zyrtari tha se kishte edhe të dhëna për të provuar këtë.

Raporti sekret nuk shprehej me aq siguri për përpjekjet e Irakut për prodhimin e armëve të shkatërrimit në masë përpara luftës, se sa linin të kuptohej Sekretari i Mbrojtjes Donald Ramsfelld dhe zyrtarët e tjerë të lartë.

Por zyrtarët e Pentagonit thonë se raporti i Agjencisë së Zbulimit të Ushtrisë ishte vetëm njeri prej shumë burimeve të informacionit për Irakun. Ata, po ashtu theksojnë se ekziston një dallim midis mënyrës si punojnë ekspertët e zbulimit dhe mënyrës se si punojnë politikanët bazuar në njoftimet e zbulimit.

Administrata e presidentit Bush ka theksuar se nuk i ka shtrembërruar informacionet e zbulimit për të justifikuar luftën në Irak.

Sekretari i Mbrojtjes Ramsfelld u takua të enjten me ligjvenësit në Kongres, për t’iu përgjigjur pyetjeve të tyre rreth pretendimeve të administratës para luftës për programet irakiane të armëve.

Disa anëtarë të Kongresit kanë shprehur interes për të filluar hetime rreth informacioneve që kishin agjencitë e zbulimit për programet e armëve. Sekretari Ramsfelld ka theksuar se Pentagoni do të bashkëpunojë me hetimet, në se do të ketë të tilla.// lk //

XS
SM
MD
LG