Lidhje

Shtohen përpjekjet e Nasës për misione në Mars - 2003-06-07


Parashikohet që lëvizja në hapësirën ajrore dhe tokësore në planetin e Marsit të rritet së shpejti. Shtetet e Bashkuara, Evropa dhe Japonia parashikojnë dërgimin e sondave dhe robotëve për të parë nga afër planetin e kuq. Anijet evropiane dhe japoneze janë në rrugë e sipër në drejtim të planetit të kuq, ndërsa sonda e parë e dy të tillave që do të lëshojnë Shtetet e Bashkuara, do të niset të djelën më 8 qershor. Një nga qëllimet kryesore të misionit të hapësirës është gjetja e shenjave të ujit dhe jetës në planetin e kuq. Nuk është një rastësi shtimi i vizitave në planetin Mars që do të ndërmerren këtë fund viti dhe në fillim të vitit të ardhshëm. Zyrtari i Agjencisë Amerikanë të Hapësirës, Ed Weiler thotë se çdo 26 muaj Marsi dhe Toka arrijnë pikën e tyre më të afërt dhe ai shton se në muajin gusht të këtij viti këto planete do të afrohen më shumë me njëri tjetrin, duke shënuar kështu shkallën më të lartë të afrimit të tyre në 60 mijë vjet.

NASA është përpjekur të vizitojë përsëri Marsin pas misionit të saj të suksesshëm në vitin 1997. NASA u përpoq të përsëriste të njëjtin sukses në vitin 1999, por nuk arriti të vendoste lidhjet me robotin e ulur në planetin Mars. Ky dështim u parapri nga një tjetër dështim i NASA-s, kur disa muaj më parë kishte humbur lidhjet me një orbitë e cila po i afrohej planetit Mars. NASA po dërgon dy mjete me aftësi dhe pajisje më të sofistikuara sesa sonda e cila preku tokën e planetit Mars 6 vjet më parë.

Ish drejtori i programit të NASA-s për planetin e Marsit, Scott Hubbard, i cili është anëtar i grupit hetimor të dështimit të anijes kozmike Columbia, thotë:

“Kemi mundësinë të dyfishojmë përpjekjet tona dhe të përgjysmojmë shpenzimet në krahasim me misionin tonë të parë në planetin e kuq,” thotë zoti Hubbard.

Dy sondat e reja amerikane kanë aftësinë të ulen ngadalë në sipërfaqen e planetit dhe të lëshojnë dy robotë lëvizës. Dërgimi i dy sondave mundëson NASA-n të lëshojë mjete kërkimi në anën tjetër të planetit të kuq. Kjo do të shtojë mundësitë që shkencëtarët të zgjedhin vende ku shpresohet të ketë shenja uji.

Kërkuesi i NASA-s Jim Garvin thotë se bëhet fjalë për mjete kërkimi më të fuqishëm, të cilët kanë aftësinë të lëvizin më shpejt sesa mjetet e përdorura 6 vjet më parë, të cilat pëshkuan një rrugë prej një kilometër gjatë 90 ditëve të misionit në planetin e kuq. Për herë të parë pajisjet e reja do të jenë në gjendje të mënjanojnë pengesat pa nevojën e përdorimit të komandave drejtuese dhe kontrollojnë më nga afër shkëmbinjtë e planetit të kuq.

“Është një arritje e madhe fakti që kemi arritur të shikojmë nga afër përbërjen e shkëmbinjve. Ne do të kushtojmë vëmendje këtyre copave të gjendura në Mars,” thotë zoti Garvin.

Strategjia e NASA-s është të kërkojë shenja uji dhe jete dhe të përcaktojë nëse ka patur ose ka aktualisht jetë në këtë planet. Gjatë misionit të vitit 1997, u panë shenja të ekzistencës së ujit shumë kohë më parë në këtë planet. Zoti Garvin thotë se satelitët amerikanë që sillen rreth planetit Mars e kanë përforcuar faktin e ekzistencës së shenjave të ujit, duke vërejtur format dhe lëvizjet e truallit të cilat dëshmojnë për rrjedhjen e ujërave nëntokësorë.

Të njëjtin qëllim, ndonëse më modest, ka edhe sonda europiane e lëshuar drejt planetit Mars me datë 2 qershor në bordin e një rakete hapësinore ruse. Mjeti i cili do të lëshohet në planetin Mars do të kërkojë shenja jete në terren ndërsa sonda tjetër shoqëruese në hapësirë do të kontrollojë për ekzistencën e ujërave nënujorë.

Sonda japoneze, e cila parashikohet të arrijë në planetin Mars në muajin dhjetor, ka një qëllim tjetër. Kjo sondë do të vëzhgojë atmosferën e planetit Mars për të vlerësuar ndikimin e rrezeve diellore si dhe vrimave të hapësirës në këtë planet.

20 nga 30 misione të Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë në planetin Mars kanë dështuar. Do të jetë një sukses i madh, në qoftë se anijet europiane, japoneze dhe amerikane arrijnë në planetin e Marsit. //ad//

XS
SM
MD
LG