Lidhje

Kalendari Historik, 8 qershor - 2003-06-07


Më 8 qershor 1965, Departamenti Amerikan i Shtetit njoftoi se presidenti Lyndon Johnson kishte autorizuar komandantin e forcave amerikane në Vietnam, gjeneralin William Westmoreland, që të angazhonte trupat tokësore amerikane në luftime të drejtpërdrejta kundër guerriljeve komuniste të Vietkongut. Ky hap i futi Shtetet e Bashkuara edhe më thellë në Luftën e Vietnamit. Deri atëherë, këshilltarët ushtarakë amerikanë në Vietnam nuk mund të angazhoheshin në luftime nëse nuk sulmoheshin më parë. Këshilltarët amerikanë i kishin kufizuar veprimet e tyre në stërvitjen e ushtrisë së Vietnamit të Jugut dhe mbrojtjen e bazave kryesore ajrore si dhe të qendrave të komunikacionit. Departamenti i Shtetit tha se politika e re do t’u jepte mundësi trupave amerikane të mbështetnin drejpërdrejtë Ushtrinë e Vietnamit të Jugut në ofensivën e tyre, por, siç theksonte deklarata, “vetëm me kërkesë të komandantit përkatës jug-vietnamez.” Katër vjet pas ndryshimit politikës amerikane në Vietnam, numri i personelit ushtarak atje u rrit nga 25 mijë këshilltarë në afro 500 mijë trupa luftimi. Lufta vazhdoi deri nga mesi i viteve 1970. Angazhimi amerikan i dha fund zyrtarisht armpushimit të vitit 1973, por luftimet ndërmjet Vietnamit të Jugut dhe veriut komunist vazhduan. Vietnami i Jugut ra në duart e komunistëve në vitin 1975.

Më tetë qershor të vitit 1905, presidenti Theodore Roosevelt u bë ndërmjetës në përpjekjet e paqes në Luftën Ruso-Japoneze, kur ftoi dy vendet të dërgonin përfaqësues në një konferencë paqeje në Shtetet e Bashkuara. Udhëheqësi amerikan, i cili njihej për shfrytëzimin e fuqisë amerikane për të arritur objektivat e politikës së jashtme, ofroi kontributin e tij si ndërmjetës midis dy vendeve ndër-luftuese. Negociatat filluan në Portsmouth të shtetit New Hampshire, në gusht ndërsa më 5 shtator u nënshkrua një traktat. Në vitin 1906, për punën si ndërmjetës në bisedime, presidenti Roosevelt u nderua me Çmimin Nobel të paqes .

XS
SM
MD
LG