Lidhje

Hidhet në erë një autobus me paqeruajtës në Afganistan - 2003-06-07


Kancelari gjerman, Gerhard Schroeder dënoi një shpërthim në Afganistan, që mesa duket ishte sulm vetëvrasës dhe që shkaktoi vdekjen e katër ushtarëve gjermanë, duke e quajtur një vepër frikacake dhe tinzare.

Zoti Schroeder tha se shpërthimi i sotëm nga i cili u shkatërrua një autobus kryesisht me paqeruajtës gjermanë ishte një përpjekje për të minuar paqen e brishtë në Afganistan.

Presidenti Bush i shprehu ngushëllimet kancelarit gjerman, gjatë një bisede telefonike. Shtëpia e Bardhë tha se presidenti Bush u angazhua që të vazhdojë luftën kundër terrorizmit.

Edhe presidenti afgan Hamid Karzai e dënoi sulmin dhe ofroi bashkëpunimin e plotë të policisë afgane për të ndihmuar në kapjen e personave përgjegjës.

Ky sulm shkaktoi numrin më të madh të viktimave mes paqeruajtësve që kur filluan të patrullojnë në kryeqytetin afgan para 18 muajsh, pas rënies së regjimit radikal taleban në vend.

Ministri i Mbrojtjes i Gjermanisë tha se shpërthimi shkaktoi gjithashtu plagosjen e 29 gjermanëve të Forcës Ndërkombëtare të Sigurisë, shtatë prej të cilëve në gjendje të rëndë. Autoritetet vendase thonë se edhe një numër kalimtarësh u plagosën rëndë nga sulmi.

Askush nuk e ka marrë përgjegjësinë për sulmin. Zyrtarët thonë se autobusi po shkonte në Aeroportin Ndërkombëtar të Kabulit, nga ku ushtarët gjermanë do të niseshin për në shtëpi, pas misionit të tyre paqeruajtës, kur një taksi e mbushur me lëndë plasëse i doli në krah autobusit dhe shpërtheu.

XS
SM
MD
LG