Lidhje

Zyrtarë amerikanë e mohojnë se administrata i mbivlerësoi informacionet e zbulimit për Irakun - 2003-06-08


Zyrtarë të lartë amerikanë po i mohojnë akuzat se administrata e presidentit Bush i mbivlerësoi të dhënat se Iraku kishte armë të shkatërrimit në masë, gjë që ishte edhe arësyeja kryesore për fillimin e luftës kundër Sadam Huseinit.

Sekretari i Shtetit Kolin Pauell tha të djelën gjatë një interviste për rrjetin televiziv Fox se ai e mbështet plotësisht deklaratën që bëri para luftës në Këshillin e Sigurimit të OKB-së se Iraku kishte armë kimike dhe biologjike. Zoti Pauell tha se akuzat se informacionet e zbulimit ishin ndryshuar për të shtuar mbështetjen për luftën nuk qëndrojnë.

Këshilltarja e presidentit Bush për Sigurimin Kombëtar, Kondoliza Rajs, e intervistuar nga rrjeti NBC, tha se zyrtarët amerikanë të zbulimit, duke studiuar burime të ndryshme dhe qindra të dhëna, arritën në përfundimin se Iraku ishte i vendosur të vazhdonte programin e armëve të shkatërrimit në masë.

Kërkimi për armë të tilla, tha zonja Rajs, kërkon kohë dhe ajo përsëri shprehu besimin e saj se armët do të gjenden. Forcat amerikane deri tani nuk kanë zbuluar armë të tilla, por zonja Rajs tha se trupat kanë gjetur të dhëna të rëndësishme se armë të tilla ekzistojnë.

Senatori amerikan Karl Levin, demokrat i Miçiganit, tha të djelën se po vihet në pikëpyetje besueshmëria e Shteteve të Bashkuara dhe ai bëri thirrje për hetime të thella nga të dyja partitë në Kongres për akuzat rreth manipulimit të informacioneve të zbulimit para luftës në Irak.

Debati vazhdon dhe në Britani

Një zyrtar i lartë britanik tha se qeveria duhet të tregojë më shumë kujdes me informacionet e zbulimit. Komenti pason akuzat se informacionet rreth aftësisë së Irakut për të prodhuar armë ishin manipuluar. Një ndihmës i lartë i Kryeministrit britanik, Toni Bler, i dërgoi një letër shefit të zbulimit ku theksonte se procedurat për informacionet që bëhen publike, duhet të jenë më të rrepta.

Sipas njoftimeve, disa informacione që u paraqitën si të agjencive të zbulimit për të mbështetur qëndrimin e Britanisë për të filluar luftën ndaj Irakut, ishin marrë në fakt nga burime publike.

Mes këtyre burimeve ishte edhe një temë diplome e mbrojtur para 12 vjetësh nga një student. Po ashtu sipas shtypit britanik, zyrtarët e zbulimit e kishin vënë në dyshim besueshmërinë e përmbajtjes së një prej dosjeve publike mbi Irakun, ku thuhej se ky vend mund t’i dislokonte armët kimike ose biologjike brenda 45 minutash.

Inspektorë të Kombeve të Bashkuara fillojnë inspektimin e një kompleski afër Bagdadit

Ekspertë bërthamorë të OKB-së filluan inspektimin e një kopleksi bërthamor të plaçkitur në afërsi të Bagdatit. Ekipi i Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike, filloi të djelën punën në kompleksin al-Tuvaitha nën shoqërimin e forcave ushtarake amerikane.

Ekipi i ekspertëve të OKB-së u kthye në kompleksin bërthamor të al-Tuvaithës me veshje të posaçme mbrojtëse nga rrezatimi. Ekspertët po përpiqen të përcaktojnë se çfarë sasie uraniumi të varfëruar mund të jetë grabitur nga ky kompeks dhe nëse ka patur ndotje të mjedisit përreth.

Në kompleksin e al-Tuvaithës, rreth 20 kilometra në jug-lindje të Bagdatit, kanë qenë të magazinuara 500 ton mineral uraniumi të papërpunuar dhe rreth 2 ton uranium i varfëruar.

Pas rënies së Sadam Huseinit, ku kompeks, që shtrihet në një sipërfaqe të madhe, u plaçkit nga qindra banorë. Fuçi, të cilat mund të kenë patur material radioaktiv, u zbrazën dhe iu shitën banorëve lokalë për dy dollarë copa. Deri tani janë gjetur 100 të tilla. Një zyrtar ushtarak tha se rreth 20 përqind e materialit bërthamor që ishte magazinuar aty duket se mungon.

Ekipi i ekspertëve të OKB-së mbërriti në Bagdat të premten. Ata pritet të qëndrojnë aty për rreth 2 javë dhe misioni i tyre është i kufizuar vetëm tek ky kompleks bërthamor. Ekipi i ekspertëve nuk do të kërkojë për armë të ndaluara në Irak. //az//

XS
SM
MD
LG