Lidhje

Britania: të hysh, a të mos hysh në euro?! - 2003-06-08


Të hënën pritet që qeveria britanike të shprehë qëndrimin e saj në se Britania do të hyjë apo jo në sistemin e monedhës së njësuar evropiane.

Qeveria ka përcaktuar 5 faktorë të rëndësishëm ekonomikë për të vendosur nëse futja e vendit në sistemin e Euros është hap i dobishëm për Britaninë apo jo.

Ditën e hënë, Kancelari i Thesarit, Gordën Braun, do të raportojë para Parlamentit Britanik nëse futja e Britanisë në sistemin e euros është në përputhje me ecurinë e zhvillimit ekonomik të Bashkimit Europian dhe Britanisë. Pas takimit të ditës së enjte me kabinetin qeveritar, zoti Brown u shpreh se qeveria britanike nuk do të ndërmarrë asnjë hap i cili do të rrezikojë ekonominë britanike. ”Kemi patur një debat të gjerë dhe të gjithanshëm mbi këtë çështje. Do të shprehim qëndrimin tonë ditën e hënë para Dhomës së Komuneve. Besoj se një debat lidhur më këtë çështje do të pasojë në vend. Vendimi jonë do të marrë në konsideratë interesat ekonomike të vendit”.

Britania është një nga tre vendet e Bashkimit Europian që nuk bën pjesë në sistemin europian të euros. Kryeministri Britanik, Toni Bler, ka shprehur angazhimin e qeverisë së tij për ta përfshirë Britaninë në euro pavarësisht se nuk ka vendosur afate.

Shumë analistë të medias janë të mendimit se qeveria britanike do të jetë në favor të përfshirjes së vendit në sistemin e euros, ndonëse kjo do të lihet për një datë të mëvonshme. Një nga shkaqet për shtyrjen e përfshirjes së Britanisë në euro është niveli i ulët i zhvillimit ekonomik në vendet e tjera europiane që përdorin euron, pavarësisht se, sipas profesorit të Shkollës Ekonomike të Londrës, Riçrd Lejërd, niveli i zhvillimit ekonomik të Britanisë është i njëjtë me atë të shumë vendeve të tjera europiane që përdorin euron. Profesori Lejërd thotë se, ndonëse rritja e ekonomisë britanike është në baza të shëndosha, e ardhmja e zhvillimit ekonomik të saj do të varet nga përfshirja në sistemin e euros.

”Mendoj se mospërfshirja e Britanisë në sistemin e euros do të ketë pasoja negative për ekonominë në vend. Kjo, sepse ka zhvillime pozitive dhe se nuk është më ajo gjendje që ekzistonte përpara aplikimit të monedhës së përbashkët në vendet evropiane. Përpara futjes se euros, shkëmbimi i mallrave ndërmjet vendeve europiane pengohej nga shumëllojshmëria e monedhave kombëtare. Por tani gjendja ka ndryshuar. Shkëmbimi i mallrave mund të bëhet brenda zonës së euros, pa ekzistencën e pengesave dhe të luhatjeve të kurseve të këmbimit të monedhave kombëtare. Mirëpo, kjo siguri nuk ekziston në Britani e cila nuk bën pjesë në sistemin evropian të euros. Kjo e bën Britaninë më pak tërheqëse si vend prodhues”.

Xhejms Frejn, drejtues i një organizate të pavarur, e cila është kundër futjes së Britanisë në sistemin e euros thotë se pengesa monetare është e papërfillshme, sepse Britania tregëton më shumë me vende jashtë zonës se euros, si p.sh. Shtetet e Bashkuara. Zoti Frejn thotë se, në qoftë se Britania futet në euro, atëherë dëmet në ekonomi do të tejkalojnë përfitimet ekonomike dhe shton se Britanisë do t’i duhet të heqë dorë nga shumë pushtete në fushën e rregullimit të sistemit të saj financiar. Për më tepër, euro nuk ka patur qëndrueshmëri përballë dollarit amerikan dhe se përfshirja e Britanisë në sistemin e euros nuk do të sillte zhvillime pozitive në arritjen e qëndrushmërisë në kursin e këmbimit.

“Sigurisht që përfshirja e Britanisë në euro do t’i heqë asaj mundësinë të caktojë kursin e këmbimit si dhe do të pakësojë pushtetin e saj në fushën e taksave, sepse Britania duhet të pranojë rregullat e euros lidhur me taksat e shpenzimet. Britania do të humbë kontrollin mbi mënyrën e drejtimit të ekonomisë, në rast se ajo e ndërmerr këtë veprim.”

Mirëpo aktivisti Nik Kening e sheh përfshirjen e Britanisë në euro si jetike për të ardhmen e saj. Ai mendon se tregëtia, investimet dhe ekonomia, në përgjithësi, do të rriten pas përfshirjes së vendit në sistemin e monedhës së përbashkët.

Zoti Canning është kundër zërave të disa euro-skeptikëve në Britani të cilët shprehen se zgjerimi i pushtetit të Bashkimit Evropian do të çojë në krijimin e një Shteti të Bashkuar Evropian. Disa analistë politikë thonë se, në qoftë se qeveria britanike nuk e merr vendimin tani, atëherë ajo nuk do të jetë në gjendje t’i kthehet kësaj çështjeje para zgjedhjeve parlamentare të vitit 2006. Në qoftë se konservatorët arrijnë të fitojnë në zgjedhjet e ardhshme, atëherë përfshirja e Britanisë në euro do të shtyhet përfundimisht sepse konsevatorët janë shprehur kundër futjes së vendit në monedhën e përbashkët europiane. //az//

XS
SM
MD
LG