Lidhje

NATO do të veprojë edhe jashtë Evropës - 2003-06-08


Me vendimin e saj për të vepruar jashtë Evropës, NATO-ja, po tregon vendosmëri dhe largpamësi. Ajo ka pranuar që në gusht të këtij viti të marrë përsipër udhëheqjen e forcës ndërkombëtare të sigurimit në Afganistan dhe po mbështet përpjekjet e Polonisë për të ndihmuar në vendosjen e sigurisë në Irak. Aleanca e NATO-s po vazhdon të luajë një rol të rëndësishëm në luftën globale kundër terrorizmit. Siç ka thenë Presidenti George W. Bush, përdorimi i forcave të armatosura është mjeti i fundit dhe amerikanët janë të vetëdijshëm se lufta kundër terrorizmit nuk mund të fitohet vetëm me forcën ushtarake: “Ne besojmë se shpresa është zgjidhja përfundimtare ndaj urrejtjes. Ideologjia e terrorizmit lind aty ku ekziston një atmosferë kundërshtimi dhe dëshprimi. Dhe ne ndihmojmë burra e gra anë e mbanë botës për të gjetur qëllimin e jetës dhe për të jetuar me dinjitet”.

Shtetet e Bashkuara janë angazhuar për të dhënë 15 miliardë dollarë për të parandaluar dhe trajtuar sëmundjen e sidës dhe për t’u kujdesur për viktimat e saj në Afrikë dhe në vendet e Karaibeve. Presidenti Bush i ka kërkuar gjithashtu Kongresit për të shtuar fondet e ndihmave për vendet e huaja për të nxitur rritjen ekonomike dhe për zhdukjen e varfërisë. ”Kjo ndihmë do të shkojë atje ku mund të jetë më e efektshme, jo tek vendet me elita politike të korruptuara, por për vendet me udhëheqës që respektojnë shtetin juridik, investojnë në kujdesin shëndetsor dhe arsimor për popujt e tyre dhe inkurajojnë lirinë ekonomike”. Por në mënyrë që liria të ngadhnjejë, tha presidenti Bush “më parë i duhet dhënë fund terrorizmit”.

“Ky është synimi amerikan në botë: nga zhdukja e terrorizmit, tek lehtësimi i sëmundjeve dhe varfërisë, tek përhapja e lirisë njerzore. Për arritjen e këtyre objektivave, ne kemi nevojë për ndihmë, për këshillat dhe mençurinë e miqve e aleatëve tanë”.

Afganistani dhe Iraku janë çliruar. Gjatë 20 muajve të fundit bota pau vendosmërinë e koalicionit të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara për të luftuar regjimet që strehojnë terroristët. Siç tha Presidenti Bush, ”sot ne po përpiqemi të krijojmë një botë në të cilën burra e gra mund të jetojnë në liri dhe paqe e jo në frikë e kaos. Çdo vend i qytetëruar do të përfitojë nga rezultati i kësaj përpjekjeje. //az//

XS
SM
MD
LG