Lidhje

Shtyhet përsëri lëshimi i robotit për në Mars - 2003-06-09


Moti i keq detyroi agjencinë amerikane të hapësirës të shtynte për të dytën herë lëshimin e një sonde të re robot për në planetin Mars. Ishte planifikuar që raketa me robotin Rover të hidhej në orbitë të hënën pak pas orës 19, sipas Grinuiçit, nga Kepi Kanaveral në shtetin Florida.

Por për shkak të kushteve të të papërshtatshme atmosferike, Nasa vendosi ta shtyjë hedhjen e sondës deri të martën, pak para orës 18 sipas Grinuiçit. Agjencia amerikane e hapësirës, NASA është gati të nisë dy robotët e parë eksplorues për në mars, të cilët do të kërkojnë praninë e ujit, elementi që do ta bënte jetën të mundur. Administratori i Nasës, e ka cilësuar misionin si një nga udhëtimet e para të mëdha eksploruese të shekullit 21.

Roboti që pritet të niset të hënën do të eksplorojë atë që shkencëtarët e quajnë krateri “Gusev”. Duke eksploruar atë zonë NASA shpreson t’u japë përgjigje pyetjeve për mundësinë e jetës në “Planetin e Kuq”.

Shkencëtarët janë optimistë sepse sipas tyre robotët e rinj mund të eksplorojnë më në thellësi dhe të sudiojnë shkëmbinjtë më mirë se robotët e tjerë të misioneve të mëparshme. Por misioni nuk është pa rreziqe. Historikisht, dy ndër tre misione ndërkombëtare kanë dështuar. Steve Squyres i Nasës thotë se është optimist.

“Në radhë të parë kemi dy mjete të hapësirës, i pari ky që shihni pas meje dhe një tjetër që ndodhet në platformën e nisjes dhe që do të shkojnë në mars me një distancë kohore prej dy javësh, kështuqë kemi dy shanse për t’u ulur atje me sukses. Përveç kësaj ne po përdorim të njëjtin sistem uljeje që ishte përdorur me sukses në misionin Mars Pathfinder në vitin 1997”, thotë ai.

Roboti i parë pritet të niset nga Kepi Canaveral në Florida me një raketë Delta II. Kontrollori robotik do të ketë një parashutë dhe jastëkë ajri për ta ndihmuar që të ulet pa probleme. Sapo të arrijë në sipërfaqen e Marsit, mekanizmi i uljes do të hapet dhe roboti do të studiojë rrethinat, duke kërkuar për prova gjeologjike uji dhe kushte që mund ta bëjnë jetën të mundur.

Roboti i dytë do të niset në një mision tjetër më 25 qershor. Që të dy do të arrijnë në mars në janar të vitit 2004. Një anije tjetër e hapësirës, pa astronaut e ndërtuar nga Agjencia Evropiane e Hapësirës u nis të hënën e kaluar për një mision në mars.//kk//

XS
SM
MD
LG