Lidhje

Sekretari Powell mirëpret hapat e para të Izraelit për shëmbjen e vendbanimeve të paligjshme hebraike - 2003-06-10


Sekretari amerikan i shtetit Colin Powell mirëpriti hapat e para të Izraelit për shëmbjen e vendbanimeve të paligjshme hebraike në Bregun Perëndimor. Sekretari i shtetit tha se është i kënaqur që Izraeli bëri realitet zotimin e kryeministrit Ariel Sharon në takimin e nivelit të lartë javën e kaluar në Jordani. Zoti Powell përshëndeti gjithashtu zotin Sharon për shëmbjen e pikave të kontrollit, megjithë kërcënimet e kolonëve për demonstrata.

Zyrtarë palestinezë nuk përfillën hapat e Izraelit për të shëmbur pikat e pabanuara të kontrollit si thjeshtë një hap simbolik. Ndërkaq, kryeministri palestinez, Mahmud Abbaz, tha se dëshiron të përdorë dialogun dhe jo forcën për të çarmatosur grupet ekstremiste palestineze.

Sekretari Powell tha se beson që të dyja palët në konfliktin e Lindjes së Mesme e kuptojnë se tani nuk ka alternativë tjetër veçse zbatimit të planit ndërkombëtar të paqes, i quajtur edhe “Harta Rrugore Drejt Paqes”. Në një konferencë shtypë, që mbajti në Santiago gjatë qëndrimit të tij për mbledhjen e Asamblesë së Përgjithshme të Organizatës së Shteteve Amerikane, sekretari Powell vuri në dukje se kryeministri izraelit Ariel Sharon i ndërmori këto hapa i ndodhur përballë kërcënimeve për demonstrata nga ana e kolonëve dhe megjithë sulmin vdekjeprurës të së dielës kundër ushtarëve izraelitë në një pikë kontrolli në Gaza.

“Ne na duhet të ecim përpara, megjithë praninë e llojit të tmerrshëm të dhunës që pamë gjatë fundit të javës nga terroristët palestinezë dhe nën praninë e demonstratave. A do të jetë e vështirë për kryeministrin Sharon? Pa tjetër, por mendoj se zoti Sharon e kuptoi një gjë të tillë kur u angazhua të shëmbte vendbanimet e paligjshme hebraike.”

Sekretari Powell do të rifillojë përpjekjet e tij personale diplomatike në Lindjen e Mesme nga fundi i javës së ardhshme kur të shkojë në Jordani për një konferencë ekonomike.

//ze//

XS
SM
MD
LG