Lidhje

Shqipëri: Miratohet marrëveshja me SHBA-në mbi gjykatën ndërkombëtare penale - 2003-06-11


Në Shqipëri, Komisioni parlamentar i Ligjeve miratoi sot njëzëri marrëveshjen me Shtetet e Bashkuara lidhur me gjykatën penale ndërkombëtare.

Marrëveshja u nënshkrua në Tiranë nga kryeministri Fatos Nano, më 2 maj, gjatë vizitës së Sekretarit amerikan të Shtetit Kolin Pauell. Ajo e angazhon Shqipërinë që të mos dorëzojë apo transferojë një zyrtar, punonjës, personel ushtarak apo shtetas amerikan në Gjykatën Penale pa miratimin e qeverisë amerikane. Kjo marrëveshje është vlerësuar shumë nga Shtetet e Bashkuara.

Shqipëria është një vend që ka ratifikuar statutin e Romës, në bazë të të cilit vepron Gjykata Penale. Përfaqësues të Bashkimit Evropian e kritikuan Tiranën për vendimin e saj.

Por Shtetet e bashkuara janë shprehur se do të punojnë së bashku me vendet e tjera për të mënjanuar çdo problem që mund të lindë nga traktati, për shkak të kundërshtimit të disa vendeve europiane ndaj marrëveshjeve të tilla që Shtetet e Bashkuara kanë lidhur edhe me vende të tjera.

Edhe dje gjatë vizitës së tij në Tiranë, Sekretari i Mbrojtjes Donald Ramsfeld deklaroi se nënshkrimi i marrëveshjes është dicka që qeveria amerikane dhe pjestarët e forcave të saj të armatosura e vlerësojnë shumë.

Presidenti Moisiu kërkon harmonizimin e qëndrimit të institucioneve shtetërore

Presidenti i Shqipërisë, Alfred Moisiu u kërkoi sot drejtuesve të institucioneve qendrore që të koordinojnë veprimtarinë në politikën e jashtme. Duke folur gjatë mbledhjes së Këshillit të Sigurimit Kombëtar, kreu i shtetit deklaroi se është detyrë kushtetuese e institucioneve shtetërore si Presidenti, Parlamenti dhe Ekzekutivi që të harmonizojnë dhe njësojnë qëndrimet e tyre në politikën e jashtme dhe të sigurisë.

Presidenti Moisiu kërkoi një qëndrim të njejtë edhe në përcakimin e mjeteve dhe rrugëve për arritjen e këtyre synimeve, pasi siç u shpreh ai, çdo nismë personale e ndërmarrë nga kushdo në funksionin e vet zyrtar, mund të krijojë pështjellim e mosbesim te partnerët e të dëmtojë procesin e integrimit. Vendi, deklaroi presidenti, nuk është pronë e askujt prandaj duhet mbajtur parasysh që përpara se të bëhen prononcime në fushën e politikës së jashtme apo të sigurisë, secili ka detyrime ligjore dhe morale para qytetarëve dhe vendit të tij. //ad//

XS
SM
MD
LG