Lidhje

Presidenti Bush shpall Nismën e Sigurimit kundër Përhapjes së Armëve - 2003-06-11


Përhapja e armëve bërthamore, kimike dhe biologjike përbën një kërcënim serioz. Për të parandaluar këtë kërcënim, presidenti Bush tha se ka shpallur Nismën e Sigurimit kundër Përhapjes së Armëve. Me Shtetet e Bashkuara, tha Presidenti Bush, po bashkëpunojnë edhe vendet e tjera të grupit të 8-shes, si Britania, Franca, Gjermania, Italia, Japonia, Kanadaja dhe Rusia.

“Me kalimin e kohës do ta zgjerojmë bashkëpunimin edhe me vendet e tjera për të mos lejuar që armët e shkatërrimit në masë të prekin brigjet tona dhe të bien në duart e armiqve tanë të përbashkët,” tha presidenti Bush.

Dy vende, të cilat paraqesin rrezik janë Irani dhe Koreja e Veriut. Grupi i Tetëshes i kërkoi Koresë së Veriut t’i japë fund gjithë programeve të armëve bërthamore në mënyrë të dukshme, të verifikueshme dhe të pakthyeshme. Grupi i Tetëshes paralajmëroi Iranin të heqë dorë nga programi i tij i armëve bërthamore.

Zëvëndës Sekretari i Shtetit për Kontrollin e Armëve dhe Sigurinë Ndërkombëtare Xhon Bolton, tha se Shtetet e Bashkuara duan të bashkëpunojnë me vendet e tjera për të marrë masa ligjore, diplomatike, ekonomike dhe ushtarake për të ndaluar transportimin e pajisjeve dhe teknologjive që mund të përdoren për të prodhuar armë të shkatërrimit në masë.

Zoti Bolton tha se qëllimi i këtyre masave është jo vetëm të parandalojë shpërndarjen e këtyre armëve, por edhe t’i eliminojë këto armë nga shtetet e papërgjegjshme apo grupet terroriste që i kanë këto armë ose që janë në prag të sigurimit të tyre. Kjo ndodhi edhe në Irak ku regjimi i Sadam Husenit paraqiste një rrezik të papranueshëm, që ose mund t’i përdorte armët të shkatërrimit në masë ose mund t’ua jepte ato grupeve terroriste. Tani që Iraku u çlirua, koalicioni i drejtuar nga Shtetet e Bashkuara po kërkon për ato që presidenti Bush i ka cilësuar si “mjetet e terrorit të Sadam Huseinit”.

“Ne po kërkojmë për armë. Ne do ta nxjerrim të vërtetën. Por një gjë është e qartë se rrjetet terroriste nuk do të disponojnë armë të shkatërrimit në masë të regjimit irakian, i cili nuk ekziston më,” tha presidenti Bush.

Ai theksoi se Shtetet e Bashkuara nuk do të lejojnë që regjimet më të rrezikshme në botë të kanosen me armët e shkatërrimit në masë.

//ad//

XS
SM
MD
LG