Lidhje

Dallimet shoqërore, shkaku kryesor i shkallëzimit të anti-amerikanizmit në botën islame - 2003-06-11


A janë ndjenjat anti-amerikane në rritje pas luftës në Irak, një plagë e vetë-shkaktuar, apo një lloj kundër-sulmi ndaj Shteteve të Bashkuara nga një komunitet ndërkombëtar që kundërshton përdorimin e forcës ushtarake nga administrata e presidentit Bush? Disa analistë të politikës së jashtme thonë se disa aspekte themelore të shoqërisë amerikane, që ndryshojnë shumë nga ato të vendeve të tjera, janë shkaktari kryesor i kësaj kundërvënieje.

Një anketë e organizuar nga Qendra Kërkimore Pew me 16 mijë veta në 20 vende të ndryshme, tregon një rënie të ndjeshme të mbështetjes globale për Shtetet e Bashkuara.

Sipas anketës, antagonizmi ndaj Amerikës është thelluar dhe shtrirë më shumë në Evropë, në disa pjesë të Afrikës dhe në Azi, veçanërisht në vendet me popullsi kryesisht myslimane.

Minxin Pei është analist në organizatën Carnegie Endowment për Paqen Ndërkombëtare.

Në artikullin kryesor të numrit të fundit të revistës Politika e Jashtme, zoti Pei vë në dukje se ndjenjat anti-amerikane mund t’i kenë rrënjët tek ndryshimet në vlerat themelore të Shteteve të Bashkuara, krahasuar me ato të vendeve të tjera.

“Vlerat shoqërore, konservatorizmi i tyre, mbizotërimi i fesë në jetën shoqërore dhe politike, bëjnë që Shtetet e Bashkuara të ndryshojnë shumë nga demokracitë e tjera të industrializuara. Po t’i hedhim një vështrim shtimit të kohëve të fundit të ndjenjave anti-amerikane, ajo që më shqetëson më shumë është se këto ndjenja po shtohen jo vetëm në vendet ku vlerat janë të ndryshme, por edhe në vendet, që mbrojnë të njëjtat vlera si ne,” tha zoti Pei.

Francis Fukuyama është autor dhe profesor i shkencave politike në Universitetin Johns Hopkins dhe aktualisht jep mësim në fakultetin e studimeve të avancuara ndërkombëtare.

Zoti Fukuyama është dakord se roli që luan feja në shoqërinë amerikane është një faktor i rëndësishëm në politikën e jashtme të administratës së presidentit Bush.

“Amerikanët e shohin veten dhe botën shpesh nën një prizëm moral. Politika e jashtme amerikane, ndonëse është bazuar si në synime realiste ashtu edhe në idealiste, zakonisht duhej të justifikohej para popullit amerikan në parime morale dhe për këtë ka shumë shembuj. Doktrina Truman dhe Plani Marshall nuk mund të justifikoheshin në aspekte të ngushta strategjike, por duhet të shikoheshin si një kryqëzatë kundër një të keqeje që kërcënonte botën siç ishte komunizmi. E njëjta gjë mund të thuhet me dy luftërat në Irak,” thotë zoti Fukuyama.

Analistët thonë se moralizmi i tërheq amerikanët sepse ai nxit ndjenjat patriotike dhe kombëtare. Anketat e opinionit publik tregojnë vazhdimisht se amerikanët kanë shkallën më të lartë të krenarisë kombëtare mes demokracive perëndimore.

Një prej aspekteve më tronditëse të anketës së zhvilluar nga Qendra Kërkimore Pew është se në 7 prej 8 vendeve të anketuara me popullsi kryesisht myslimane, shumica e njerzve janë të shqetësuar se vendi i tyre mund të sulmohet nga ushtria amerikane.

Një tjetër rezultat i anketës ishte se njerëzit në vendet me popullsi kryesisht myslimane mbështesin shumë prej aspekteve të shoqërisë amerikane. Të anketuarit thanë se mbështesin vlerat demokratike si liria e shtypit, sistemet politike shumë-partiake, liria e fjalës dhe të drejtat e barabarta në bazë të ligjit. Analistët thonë se administrata e presidentit Bush duhet t’i ketë parasysh vlerat e përbashkëta me vendet myslimane dhe vende të tjera.

Ata thonë se një angazhim i patundur ndaj procesit të paqes midis izraelitëve dhe palestinezëve dhe rindërtimi i suksesshëm i Irakut mund të ndihmojnë në parandalimin e shtimit në rritje të ndjenjës anti-amerikane në botë.

//ad//

XS
SM
MD
LG