Lidhje

<b> Raporti i Departamentit të Shtetit mbi trafikun njerëzor</b> - 2003-06-12


Zyrtarët amerikanë thonë se në botë çdo vit trafikohen 800 mijë deri në 900 mijë njerëz. Në raportin që Departamenti i Shtetit nxori mbi trafikun njerëzor, thuhet se ky lloj trafiku minon autoritetin e qeverive, lidhet me krime të tjera dhe është në thelb një formë terrorizmi. Në këtë raport përfshihen edhe komente mbi gjendjen në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni në këtë drejtim.

Gjendja në Shqipëri

Megjithëse në raport flitet për përpjekje të Shqipërisë në luftën kundër trafikut, mesa duket ato nuk kanë qenë të mjaftueshme për ta radhitur Shqipërinë mes vendeve që i plotësojnë standardet minimale për eliminimin e trafikut njerëzor.

Në një sistem me tre nivele, ku në të parin bëjnë pjesë vendet që i plotësojnë standardet minimale në luftën kundër trafikut dhe në të tretin ata që nuk i plotësojnë dhe që nuk po bëjnë përpjekje, ashtu si edhe vitin e kaluar Shqipëria bën pjesë në nivelin e dytë, të atyre vendeve që nuk i plotësojnë standardet minimale për eliminimin e trafikut, por që po bëjnë përpjekje të konsiderueshme.

Në pjesën e raportit për Shqipërinë thuhet se ajo shërben si vend burimi dhe tranziti për trafikimin e grave dhe fëmijëve për shfrytëzim seksual dhe për të lypur. Viktimat femra, thuhet në raport çohen në Itali, Greqi dhe vende të tjera të Bashkimit Evropian, si Belgjika, Franca, Britania dhe Hollanda. Femrat që trafikohen përmes Shqipërisë kryesisht vijnë nga Bullgaria dhe Ukraina. Ndërsa fëmijët sipas njoftimeve trafikohen nga Shqipëria për në Itali dhe Greqi për të lypur në rrugë.

Përpjekjet për ta trajtuar këtë problem gjithsesi janë shtuar nga viti që kaloi, siç duket edhe nga krahasimi mes raportit të vjetshëm dhe atij për këtë vit. Në raportin e sivjetshëm thuhet se qeveria i ka shtuar përpjekjet në fushën e rendit, veçanërisht në drejtim të bashkëpunimit me Italinë. Po ashtu policia e ka frenuar në mënyrë të konsiderueshme trafikun klandestin përmes Adriatikut, ndërkohë që numri i grave të huaja që trafikohen përmes Shqipërisë me destinacion për në vendet perëndimore, ra ndjeshëm.

Si pjesë të përpjekjeve për të trajtuar këtë dukuri, në raport përmendet krijimi i postit të Ministrit të Shtetit, që shërben si koordinator për luftën kundër trafikut. Po ashtu në raport përmendet fakti që Ministria e Rendit hartoi një studim të rëndësishëm, ku thuhej se mbi 5 mijë gra shqiptare janë trafikuar me qëllim prostitucioni dekadën e fundit.

Duket se në drejtim të ndjekjes penale të personave përgjegjës ka patur hapa përpara, krahasuar me një vit më parë. Në raport thuhet se ndjekjet penale për trafikuesit u rritën vitin që kaloi, ashtu si edhe përpjekjet për të ndëshkuar, apo arrestuar zyrtarë të korruptuar për përfshirje në trafik. Megjithatë në raport thuhet se korrupsioni në procesin e hetimeve, mbetet një problem i madh. Numri i dënimeve është i pamjaftueshëm dhe shumë nga të pandehurit janë liruar për mungesë provash, ose janë akuzuar për krime të tjera më të lehta. Në vitin 2002, Prokuroria e Përgjithshme çoi në gjykatë 144 çështje mbi trafikun dhe 17 persona u dënuan.

Ministria e Rendit hetoi 31 raste të përfshirjes së policisë në trafik gjatë vitit 2002 dhe të paktën një zyrtar u dënua, por në fakt iu dha një dënim minimal.

Në raport thuhet se qeveria shqiptare e ka rritur efektivitetin në bashkërendimin e përpjekjeve me qeverinë e Italisë dhe me Nismën për Bashkëpunim të Evropës Juglindore SECI me qendër në Bukuresht. Është rritur gjithashtu aftësia për të kontrolluar kufijtë dhe për të kapur shkelësit, si edhe është përmirësuar aftësia e policisë për të hetuar dhe për të vepruar.

Në prill të këtij viti policia kreu një aksion kundër trafikuesve dhe në bashkëpunim me policinë italiane shkatërroi një rrjet për trafikun e fëmijëve.

Në Shqipëri janë ngritur qendra për mbrojtjen dhe rehabilitimin e viktimave të trafikut, por ende mundgon një program për mbrojtjen e dëshmitarëve, gjë për të cilën qeveria ka marrë masa të kufizuara, kryesisht duke u mbështetur tek organizatat joqeveritare dhe tek qeveritë e huaja.

Raporti Vjetor i Departamentit të Shtetit për qeniet njerëzore, u hartua për herë të parë në vitin 2001, dhe në atë kohë Shqipëria bënte pjesë në vendet e nivelit të tretë. Këtë vit për herë të parë, vendet që bëjnë pjesë në këtë grup përballen me sanksione, mes së cilave edhe humbja një pjese të ndihmës amerikane.

Gjendja në Kosovë

Trafiku njerëzor është problem serioz edhe në Kosovë dhe UNMIK-u është i ndërgjegjshëm për këtë gjendje. Administrata e Kombeve të Bashkuara, kryen përpjekje kundër trafikut. Kosova është destinacion për viktimat e trafikut të grave kryesisht nga Moldova, Rumania, Ukraina dhe Bullgaria. I Dërguari i Posaçëm i Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuar ka nxjerrë ligje dhe një njësi e specializuar e policisë për luftën kundër trafikut e zbaton kuadrin ligjor në këtë drejtim.

Gjendja në Maqedoni

Maqedonia është vendi i vetëm ballkanik që në raportin e Departamentit të Shtetit rendiet në grupin e vendeve të nivelit të parë. Qeveria e Maqedonisë plotëson standardet minimale për eliminimin e tregtisë me njerëz, thuhet në raport.

Ambasadori amerikan në Shkup Lorenc Batler shprehu sot mirënjohje për Ministrinë maqedonase të Punëve të Brendëshme dhe për qeverinë për zbulimin me kohë të këtyre dukurive dhe për ndërmarrjen e masave të përshtatshme. Ambasadori Batler tha se qeveria gjatë vitit të kaluar ka ngritur nivelin e aktiviteteve dhe efikasitetin për zbatimin e së drejtës në gjithë territorin e vendit.

Në raportin vjetor të Departamentit amerikan të Shtetit thuhet se Maqedonia është shtet për kalimin por dhe destinacion për gra e fëmijë të trafikuar për prostitucion nga ish Bashkimi Sovjetik dhe Evropa Lindore, në veçanti nga Ukraina, Moldavia, Rumania dhe Bullgaria. Disa viktima mbeten në Maqedoni derisa të tjerët trafikohen në Shqipëri, Kosovë ose Itali, thuhet në raport. Qeveria është treguar e efektshme në zbatimin e masave ligjore në zonat e banuara nga shqiptarët, të cilat nuk ishin nën kontroll të qeverisë gjatë konfliktit në vitin 2001, dhe në pjesët ku mbizotëronin aktivitetet e trafikut, thuhet më tej në raport. Raporti permend shqetësimet e shtypit dhe opinionit publik që vënë në dyshim integritetin e gjykatësve për shkak të përqindjes së ulët të dënimeve.

Ambasadori Batler tha se në disa raste gjyqësia maqedonase është treguar shumë e butë me trafikantët. Ai përmendi rastin e Dilaver Bojkut nga Veleshta e Strugës, duke shtuar se e konsideron dënimin ndaj zotit Bojku si shumë të lehtë, ndonëse vlerëson që gjykatat në çdo vend janë të pavarura. FBI-ja është e interesuar nëse sistemi gjyqësor maqedonas mund të ballafaqohte me rastin e Dilaver Bojkut, tha ambasadori amerikan, duke shtuar se ai është shtetasi më i njohur i Maqedonisë në botë, por për aktivitete kriminale, e në veçanti për tregëtinë me njerëz. Procesi për rigjykimin e zotit Bojku është caktuar për në fund të muajit, dhe ambasadori Butler tha se pret që ky proces të jetë transparent dhe të përmbajë integritetin e së drejtës dhe ligjeve.

//ad//

XS
SM
MD
LG