Lidhje

Polakët votojnë pro anëtarësimit në Bashkimin Evropian - 2003-06-13


Në një referendum në shkallë kombëtare votuesit polakë shprehën fuqimisht dëshirën e tyre për të hyrë në Bashkimin Evropian. Polonia po kthehet në familjen e madhe evropiane, tha presidenti i Polonisë, Aleksandër Kvashnjevski:

“ Ky është një fakt. Polonia është tani në Bashkimin Evropian. Uroj nga zemra bashkatdhetarët e mi dhe Poloninë.”

Rreth 80 përqind e polakëve mbështetën hyrjen në Bashkimin Evropian. Pjesëmarrja në votime ishte rreth 60 përqind. Polonia është një nga 8 vendet ish-komuniste, që së bashku me Maltën dhe Qipron, janë ftuar të hyjnë në Bashkimin Evropian në maj të vitit 2004. Deri tani në 7 nga këto vende janë mbajtur referendume, që kanë miratuar anëtarësimin në Bashkimin Evropian.

Në një kohë kur mesatarja e të ardhurave të tyre është sa rreth 40 përqind e të ardhurave në vendet e Evropës Perëndimore, shumë polakë mezi presin që vendi i tyre të hyjë në Bashkimin Evropian për arsye ekonomike. Siç ka thënë thënë edhe zoti Bogdan Kliment, drejtor ekzekutiv i një korporate polake: “Nuk ka tjetër alternativë për Poloninë. Kjo do të thotë më shumë mundësi për fëmijët tanë dhe një ekonomi të përgjithshme më të mirë për të gjithë ne.”

Një nga ata që votuan për anëtarësimin në Bashkimin Evropian, ishte udhëheqësi i fundit komunist i Polonisë, gjenerali Vojçek Jaruzelski. Sikur dikush ta parashikonte këtë 20 vjet më parë, tha ai, unë do të kisha quajtur fantashkencë, apo teatër absurd.

Por kjo është bukuria e jetës, shtoi gjeneral Jaruzelski. Realitetet ndryshojnë. Ky është një realitet i ri, të cilin duhet ta marrim parasysh. Unë e mora parasysh një realitet të tillë, kur votova për hyrjen e Polonisë në Bashkimin Evropian.

Polonia, me një popullsi prej 38 milionë banorësh, është vendi me popullsinë më të madhe, ndërmjet atyre që përgatiten të hyjnë në Bashkimin Evropian, tha ambasadori i Polonisë në Shtetet e Bashkuara, Premislav Gruzinski:

“Polonia do të jetë ndërmjet 6 anëtarëve më të mëdhenj të Bashkimit Evropian. Gjermania, Franca dhe Britania e Madhe janë anëtarët më të mëdhenj të Bashkimit dhe kanë numrin më të madh të votave, pastaj vijnë Spanja, Italia dhe Polonia me një numër të barabartë votash.”

Duke u bërë anëtare e Bashkimit Evropian, Polonia do të mund të zërë vendin e saj, si partnere me të drejta të plota në Evropë. //kk//

XS
SM
MD
LG