Lidhje

Shtajner: ka ardhur koha për fillimin e bisedimeve shqiptaro-serbe - 2003-06-13


Shefi i UNMIK-ut Miahel Shtajner u takua të premten në Beograd me zyrtarët më të lartë serbë ku është shqyrtuar situata aktuale në Kosovë, dhe në një konferencë për shtyp deklaroi se ka ardhur koha për fillimin e bisedimeve midis Prishtinës e Beogradit, duke propozuar Bruskelin si vend të bisedimeve.

Në një konferencë për gazetarë pas bisedimeve me kryeministrin e Serbisë Zoran Zhivkoviç dhe nënkryeministrin serb për Kosovën Nebojsha Çoviç, zoti Shtajner tha se ai do të jetë kryetari i delegacionit shumëetnik të Kosovës në takimin e nivelit të lartë të Bashkimit Evropian në Selanik. Ai nuk pranoi ta shpallë përbërjen e këtij delegacioni para se ta publikojë atë në Prishtinë.

Ai theksoi se gjatë bisedimeve të së premtes ishte në një mendje me kryeministrin Zhivkoviç se takimi i Selanikut është i rëndësishem për mbarë rajonin e Ballkanit, që shtetet e tij t’i afrohen sa më shumë Bashkimit Evropian.

Zoti Shtajner konisderon se ka ardhur koha, siç është shprehur, për fillimin e dialogut midis Prishtinës dhe Beogradit me pjesëmarrjen e faktorit ndërkombëtar.

Pëlqimin lidhur me fillimin e dialogut për zgjidhjen e problemeve praktike në Kosovë, Shtajner e ka marrë edhe nga zyrtarët e Beogradit dhe nga përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës, kryetari Ibrahim Rugova dhe kryeministri Bajram Rexhepi.

Kjo sipas tij është inkurajuese sepse ekzistojnë të gjithë parakushtet për fillimin e dialogut. Ai ka shprehur kënaqësinë që kryeministri serb ka pranuar që vendi për fillimin e dialogut të jetë Brukseli.

Shefi i UNMIK-ut tha se fillimi i dialogut nuk nënkupton fillimin e zgjidhjes së statusit përfundimtar të Kosovës, duke shtuar se për këtë fazë të bisedimeve akoma është herët.

Diplomati gjerman se në Kosovë mbetet të kryhet edhe shumë punë, në mënyrë që para statusit përfundimtar të realizohen standardet ndërkombëtare, duke besuar se e vetmja rrugë e Kosovës është që ajo të bëhet shumëetnike. Ai tha se bashkësia ndërkombëtare nuk do të heqë dorë nga ky objektiv.

Shefi i UNMIKut tha lidhur me vrasjen tre anëtarëve të familjes serbe në Obiliç, javën e kaluar se policia ndërkombëtare në Kosovë ka marrë në pyetje 58 familje por akoma nuk është në gjurmë të varsësve të familjse serbe Stoliq.

Ai vuri në dukje se në hetimet e kësaj vrasjeje është angazhuar ekipi special i policisë i udhëhequr prej njërit nga komandantët më të rëndësishëm të policisë ndërkombëtare.

Ai shtoi se policia e UNMIK-ut e ka shtuar preninë me qëllim të mbrojtjes së pakicave në Kosovë, veçanërisht në Obiliç.//kk//

XS
SM
MD
LG