Lidhje

Uashingtoni kundër ndërtimit të selisë së re të Natos në Belgjikë - 2003-06-13


Belgjika tha se mund t’i bëjë ndryshime ligjit të saj për krimet e luftës, pas paralajmërimit të Shteteve të Bashkuara për të mos dhënë fonde për ndërtimin e selisë së re të Natos në Bruksel.

Ministri belg i Mbrojtjes, Andre Flahaut, tha se ligjeve mund t’u bëhen ndryshime. Ligjet e tanishme u japin të drejtë gjykatave belge të ndjekin penalisht ushtarakë amerikanë të akuzuar për krime kundër njerëzimit. Ministri belg tha se qeveria e tij do të kërkojë zhvillimin e bisedimeve me Uashingotnin për tazgjidhur këtë mosmarrëveshje.

Dje Sekretari amerikan i Mbrojtjes Donald Rumsfeld tha se nuk ka kuptim të ndërtohet një seli e re e Natos në Belgjikë në se për zyrtarët amerikanë ekziston rreziku i arrestimit për të shkuar në takimet e aleancës.

Sekretari britanik i Mbrojtjes Xhefri Hun dhe Sekretari i Përgjithshëm i Natos Xhorxh Robertson thanë se e kuptojnë qëndrimin amerikan. Por Ministri gjerman i Mbrojtjes, Peter Shtrak, e akuzoi zotin Rumsfeld se po e “dramatizon” gjendjen, siç u shpreh ai, pasi disa ndryshime që i janë bërë tashmë ligjit belg nuk paraqesin më rrezik për ushtarakët amerikanë.

Ndryshimet e ligjit u krijojnë mundësi shtetasve të vendeve demokratike me sisteme drejtësie funksionuese të kthehen në vendet e tyre.

Sekretari Rumslfeld tha se ligji kontradiktor që u lejon gjykatave belge të gjykojnë shtetasit e huaj të akuzuar për krime lufte, kudo që të jenë kryer ato, kërcënon rolin e Belgjikës si vend mikpritës i NATO-s.

Duke vënë në dukje se një sërë zyrtarësh dhe ish zyrtarësh të Shteteve të Bashkuara, duke filluar nga komandanti i forcave në Irak, Tommy Franks, deri tek ish Presidenti George Bush, kanë qënë objektiva të këtij ligji, sekretari amerikan i Mbrojtjes tha se Uashingtoi është kundër financimit të selisë së re të NATO-s në Bruksel, me një kosto prej 350 milionë dollarësh.

“ Duket se nuk do të jetë e lehtë për zyrtarët amerikanë, dhe ndoshta as për zyrtarë të koalicionit, civilë apo ushtarakë, që të vijnë në Belgjikë për takime. Prandaj, unë dhe të tjerë jemi të mendimit se nuk është e llogjikshme që selia e re të ndërtohet në Bruksel, në qoftë se ne nuk do të ishim në gjendje të vinim këtu, tha sekretari Rumsfeld.

Parlamenti belg i ka bërë disa ndryshime ligjit, të cilat parashikojnë që akuzat ndaj zyrtarëve të ndryshëm nga vendet demokratike të transferohen në sistemin e drejtësisë të vendeve nga ata vijnë. Por zoti Rumsfeld dukej i shqetësuar nga vetë ideja e ngritjes së akuzave që mund të nxiten nga prokurorë të politizuar.

Megjithatë zoti Rumsfeld e vlerësoi lart NATO-n, duke thënë se ajo ka avancuar në përballimin e sfidave të shekullit të 21-të. Ai e cilësoi vendimin për të riorganizuar tërësisht strukturën e komandës ushtarake të NATO-s dhe krijimin e një force të reagimit të shpejtë si shumë të rëndësishme.

NATO-ja vendosi të shkurtonte bazat e saj në gjithë Evropën me 40 përqind në kuadër të përpjekjeve për ta bërë aleancën më të përshtatëshme për kërcënimet e shekullit të 21-të.

Ky vendim u morr ndërsa aleanca la pas divergjencat e thella lidhur me luftën në Irak, që i vunë Shtetet e Bashkuara kundër shumicës së partnerëve të tyre evropianë me një ndikim aq të madh si Franca dhe Gjermania, që ishin kundër luftës.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, George Robertson, tha se aleanca e ka lënë tashmë pas stuhinë e pranverës dhe ka dalë më e fortë dhe më e bashkuar se më parë. Ai citoi një numër vendimesh të kohëve të fundit të mara nga NATO-ja për të zgjeruar sferën e saj të operacioneve përtej Evropës.

“Vendimet e NATO-s për të ndihmuar Turqinë, që të merrte komandën e forcës ndërkombëtare në Kabul dhe për të ndihmuar Poloninë në Irak, nuk mund të ishin marrë nga një aleancë pa unitet. Ato u morrën nga një NATO e transformuar, e gatshme dhe e aftë për të përballuar kërcënimet e sotme ngado që të vinë ato, tha zoti Robertson.

Zoti Robertson vlerësoi lart Spanjën që pranoi të dërgonte një brigadë në divizionin shumëkombësh të udhëhequr nga Polonia që do të marrë komandën e veprimtarive paqeruajtëse në pjesën qendrore të Irakut. Tri vende të Amerikës Latine do të jenë pjesë e brigadës spanjolle, ndërsa brigada polake do të përfshijë trupa nga pesë vende të tjera të Evropës Lindore. Ukraina po dërgon një brigadë të tretë në këtë forcë, që NATO-ja do ta mbështesë nga pikpamja logjistike.

XS
SM
MD
LG