Lidhje

Ministrat e brendshëm të Ballkanit diskutojnë për bashkëpunimin kundër trafiqeve - 2003-06-14


Ministrat e Brendshëm të Shqipërisë, Serbisë, Malit të Zi si dhe përfaqësuesi për Siguri dhe Drejtësi i administratës së OKB-së në Kosovë diskutuan gjatë një takimi të mbajtur në Tiranë për gjendjen e krimit të organizuar në rajon dhe hapat e ndërmarra bashkarisht kundër tij.

Përfaqësuesi i administratorit të UNMIK-ut Shtajner për siguri dhe drejtësi, Nikolas Booth, tha se policia ndërkombëtare në Kosovë ka aktualisht tri detyra kryesore: të godasë pastrimin e parave, trafikimin e grave dhe fëmijëve si dhe të mbrojë dëshmitarët.

“Në Kosovë qarkullojnë sasi të mëdha parash me një transparencë shumë të ulët rreth faktit se nga vijnë dhe ku shkojnë këto të holla. Kjo situatë - thotë zoti Booth - është shumë e përshtatshme për ata që përpiqen të pastrojnë paratë dhe një situatë e vështirë për policinë që përpiqet të godasë krimin e organizuar”.

Për të ndryshuar këtë gjendje, sipas tij, në Kosovë do të vendoset së shpejti një ligj i ashpër që kërkon të deklarohen burimet e të ardhurave, në të kundërt pasuritë e dyshuara si kriminale do të konfiskohen.

Përfaqësuesi i UNMIK-ut tha se për trafiqet e grave dhe fëmijëve do të krijohet një strukturë që do të kujdeset për viktimat, në mënyrë që ato të dëshmojnë lirisht dhe të mbrojtur kundër trafikantëve.

Për mbrojtjen e dëshimtarëve ai propozoi një bashkëpunim të ngushtë vendeve të rajonit. Maqedonia kërkoi gjithashtu bashkëpunim të vendeve të rajonit për të mposhtur krimin e organizuar, trafikimin e njerëzve, terrorizmin dhe tregtinë e armëve.

Ministri i brendshëm maqedon, Hary Kostov, thotë se gjashtë muajt e fundit janë arritur rezultate të mira kundër trafiqeve, vecanërisht atyre për prostitucion.

“Që nga dhjetori policia maqedonase ka shpëtuar rreth 300 vajza që shfrytëzoheshin për prostitucion në baza që u zbuluan dhe i ktheu ato në shtetet e tyre”.

Sipas tij, kjo ishte arsyeja që Maqedonia u rendit në grupin e parë të raportit të Departamentit të Shtetit për luftën kundër trafikimit. Ai thotë se megjithatë, prokuroria dhe gjykatat duhet të veprojnë më tepër kundër krimit.

Me të njëjtat shqetësime në rajon është edhe Mali i Zi. Ministri i Brendshëm malazez, Milan Filipoviç, tha se në vendin e tij po forcohen ligjet kundër pastrimit të parave, korrupsionit dhe po shtohen dënimet penale. Por aktualisht droga është një shqetësim kryesor.

“Pjesa më e madhe e drogës kalon nga Mali i Zi dhe Shqipëria. Janë kapur - thotë zotit Filipovic - dy mijë kg droga të ndryshme, shumica marijuanë, por edhe drogat e forta po shtohen përherë e më shumë”.

Ai shton se janë ndalur kalimet kufitare të kriminelëve midis Shqipërisë dhe Malit të Zi, por policia malazeze do ta bëjë shumë më mirë këtë detyrë kur të marrë në dorë ruajtjen e kufijve të saj. Sipas tij, një bashkëpunim më i mirë nevojitet të ndërtohet mes Podgoricës dhe Prishtinës.

Ndërsa ministri shqiptar i rendit publik, Luan Rama, u propozoi homologëve të tij krijimin e një Forumi Ministror Ballkanik me pjesëmarrjen e të gjithë ministrave të brendshëm të rajonit, për të bashkërenduar veprimet dhe bashkëpunimin rajonal kundër trafiqeve.

“Krimi i organizuar dhe trafiqet nuk kanë kombësi. Ata nuk kanë pasaportë dhe as gjuhë. Ata veprojnë të koordinuar në sinkron, pavarësisht nga vendi përkatës. Edhe ne duhet të jemi më pranë në krah të njëri-tjetrit në këtë process të sfidës së përbashkët”, tha zoti Rama.

Takimi i ministrave të brendshëm të Ballkanit i paraprin takimit të nivelit të lartë të Bashkimit Europian në Selanik, ku integrimi i vendeve ballkanike do të zërë një vend të posaçëm.//kk//

XS
SM
MD
LG