Lidhje

Bashkimi Evropian është një hap më pranë kushtetutës së tij - 2003-06-15


Bashkimi Evropian është një hap më pranë kushtetutës së tij. Kuvendi që është duke hartuar këtë dokument ka përfunduar versionin e parë të tij që do t’u paraqitet udhëheqësve evropianë javën e ardhëshme në takimin e nivelit të lartë, që do të mbahet në Greqi. Por disa nga çështjet kryesore nuk janë zgjidhur dhe me siguri që do të jenë objekt kompromisesh të vështira, kur anëtarët e qeverive të fillojnë diskutimet për kushtetutën nga fundi i këtij viti.

Kuvendi prej 105 anëtarësh mbështet një projektkushtetutë që parashikon një ndryshim rrënjësor të mënyrës se si Bashkimi Evropian zhvillon veprimtarinë e tij. Objektivi i kuvendit ishte të vinte në dukje se si grupi prej 15 vendesh që së shpejti do të përbëhet nga 25, do ta zhvillojë veprimtarinë e tij në dekadat e ardhshme. Qëllimi është që Bashkimi Evropian të bëhet më efektiv.

Kështu, projekt-kushtetuta parashikon krijimin e postit të presidentit të Këshillit të Evropës, që do të grumbullojë së bashku udhëheqësit e vendeve të ndryshme, në vend të sistemit të tanishëm të rotacionit, ku presidenti ndërohet çdo gjashtë muaj mes vendeve anëtare. Po ashtu kjo kushtetutë parashikon edhe postin e Ministrit të Jashtëm të Bashkimit Evropian.

Dokumenti diskuton gjithashtu edhe procesin e marrjes së vendimeve nëpërmjet votimit, në vend të konsensusit, një çështje tepër delikate kjo për disa vende.

Kjo projektkushtetutë sugjeron se Komisioni Evropian, që trajton praktikën e përditëshme të punës së Bashkimit, të shkurtohet në 15 anëtarë nga 20 që është tani, por anëtarët e tij të qarkullojnë.

Projekt-kushtetuta që doli pas 16 muaj diskutimesh të vështira mund të konsiderohet si një fitore personale për kryetarin e kuvendit, ish Presidentin e Francës, Valery Giscard d’Estaing. Ai mundi të arrijë konsensusin mes përfaqësuesve të qeverive të tanishme dhe të ardhëshme anëtare të Bashkimit, Parlamentit Evropian si dhe të Komisionit Evropian për çështje që kanë kërkuar zgjidhje për një gjysëm shekulli.

Zoti Giscard d’Estaing i tha kuvendit se ishte bërë një përparim historik. Ai tha se do të shkojë në Selanik të Greqisë javën e ardhëshme për t’ua paraqitur tekstin udhëheqësve evropianë si bazë për një traktat kushtetues për Evropën në të ardhmen.

Federalistët evropianë e kanë akuzuar zotin Giscard d’Estaing se ka qënë i ashpër me vendet e mëdha si Britania e Madhe dhe Franca, të cilat kanë nguruar t’i japin më shumë sovranitet Bashkimit. Ndërsa euroskeptikët e kanë akuzuar atë se kërkon të centralizojë më shumë pushtet në institucionet evropiane.

Por zoti Giscard d’Estaing pranon se megjitëse kushtetuta nuk është e përsosur, ajo është një përzjerje e realizmit me idealizmin, dhe ai po u bën thirrje vendeve anëtare që të mos shtrihen së tepërmi duke u larguar nga konsensusi i arritur në konventë. Ai tha se sa më nga afër të ndiqet teksti i këtij dokumenti, që është diskutuar gjerësisht, aq më e lehtë do të jetë vënia e tij në jetë.

Takimi i Selanikut nuk do të ketë fjalën e fundit për projekt-kushtetutën. Ajo do t’i lihet një konference të qeverive që do të zvhillohet në muajin tetor.

Megjithë debatet dhe kundërshtimet rreth kushtetutës së Bashkimit Evropian, zoti Giscard d’Estaing theksoi se e premtja ishte një ditë feste. Tani që ne jemi në prak të një epoke të re, thotë ai, ne duhet të vendosim së bashku për të ecur drejt një Evrope të re.

Dhe ndërsa zoti Giscard d’Estaign i dha fund fjalimit të tij i shoqëruar me ovacione të stuhishme, ai dhe delegatët evropianë u ngritën në këmbë për himnin e Bashkimit Evropian, Odë Gëzimit të Bethovenit, dhe e përshëndetën këtë arritje historike me shampanjë.

//ze//

XS
SM
MD
LG