Lidhje

Ministrja franceze e mbrojtjes akuzon homologun e saj amerikan për arrogancë prej superfuqie - 2003-06-15


Ministrja franceze e mbrojtjes, Michele Alliot-Marie, akuzoi homologun e saj amerikan për arrogancë prej superfuqie dhe industrinë amerikane se po zhvillon luftë ekonomike kundër Evropës.

Në një intervistë me gazetën pariziane, Lë Mondë, të publikuar në numrin e saj të djeshëm, zonja Alliot-Marie, tha se Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Donlad Rumsfeld, siç u shpreh ajo, beson që Shtetet e Bashkuara janë e vetmja fuqi ushtarake, ekonomike dhe financiare në botë.

Zonja Alliot-Marie la të nënkuptohej se zoti Rumsfeld është jashtë linjës që ndjekin zyrtarë të tjerë të lartë në administratën amerikane. Ajo tha se marrëdhëniet ndërmjet shërbimeve të fshehta franceze dhe amerikane janë të përkryera, megjithë qëndrimet e ndryshme përsa i përket luftës në Irak.

Në Washington, një zëdhënës i departamentit të mbrojtjes tha se Ministrja franceze e Mbrojtjes ka të drejtë të shprehë opinionin e saj, por se ky opinion nuk përshkruan me saktësi qendrimin e zotit Rumsfeld apo të qeverisë amerikane.

Këto komente të pazakonta, të shprehura pa dorashka nga zonja Alliot-Marie të kujtojnë mosmarrëveshjet e thella ndërmjet Washingtonit dhe Parisit në lidhje me rolin udhëheqës të Francës kundër luftës në Irak dhe komentet e zotit Rumsfeld për Francën e Gjermaninë, të cilave ai iu referua si ”përfaqësuese të Evropës së vjetër”.

Në intervistën për gazetën Lë Mondë, ministrja franceze shprehu gjithashtu shqetësim lidhur me fuqinë indistirale amerikane dhe taktikat e saj. Ajo nguli këmbë që kompanitë amerikane, siç u shpreh ajo, po ndjekin një logjike lufte ekonomike dhe u kërkoi firmave evropiane që të bashkohen për të rezistuar.

//ze//

XS
SM
MD
LG