Lidhje

Intervistë me Orsalia Kalanxopulos, Drejtoreshë në Bankën Botërore - 2003-06-16


Zëri i Amerikës: Zonja Kalanxopulos, fillimisht, më lejoni t’ju uroj për detyrën që keni filluar kohët e fundit si Drejtoreshë dhe Bashkërenduese rajonale për Evropën Juglindore dhe rajonin e Azisë Qendrore. Kohët e fundit ju ishit në Shqipëri, cilat janë përshtypjet e para të vizitës suaj atje, e kam fjalën për ecurinë e tranzicionit, krahasuar me vende tjera në tranzicion?

O.K.: Kjo ishte vizita ime e parë në Shqipëri, megjithatë mund të them se kjo nuk ishte vizita ime e parë në Shqipëri, për arsye se unë jam greke dhe ngjashmëria midis dy vendeve është e madhe. Shqipëria është një vend që ka ecur shumë përpara gjatë 10 vjetëve të fundit. Të ardhurat janë katërfishuar, nga 300 në 1200 dollarë për frymë. Kjo për ne ekonomistët që merremi me vendet në zhvillim, është një përparim i madh. Por, ndërsa shikon këtë përparim, shtim të të ardhurave për frymë dhe pakësim të varfërisë, shumë gjëra lenë për të dëshëruar dhe kanë mbetur prapa. Dhe kjo është pjesë e zhvillimit. Institucionet vazhdojnë të jenë të jenë të dobëta dhe nevojitet më tepër punë për ndërtimin e institucioneve që funksionojnë mirë. Nga ana tjetër, infrastruktura, natyrisht, vazhdon të ketë tepër probleme. Unë udhëtova me makinë në pjesën më të madhe të vendit dhe mund të them se nuk kisha parë një gjendje të tillë të rrugëve që prej shumë vitesh, kur isha në Afrikë, 10-15 vjet më parë. Pra, me të vërtetë, mbetet një rrugë e gjatë për të përshkruar, megjithatë, duhet të theksoj se vendi ka bërë shumë përpara, që nga koha e ndryshimit të regjimit.

Zëri i Amerikës: Duke u ndodhur para kufizimeve buxhetore, dhe duke ditur pamundësinë e tyre për të siguruar menjëherë shërbimet e infrastrukturës, qeveritë e vendeve të ndryshme në zhvillim i kane hapur sektorët e tyre të infrastrukurës ndaj investitorëve privatë. Kjo nuk po ndodh në Shqipëri. Çfarë programi ka banka për privatizimin e infrastrukturës në Shqipëri, kam këtu parasysh sektorin energjetik, që faktikisht, po pengon zhvillimin e mëtejshëm të Shqipërisë.

O.K. Në Shqipëri kemi projekte për energjinë, për rrugët, ujësjellësin, programi i Bankës Botërore në Shqipëri është shumë gjithëpërfshirës, pra ai mbulon pothuajse çdo aspekt të ekonomisë. Vetëm një numër i vogël vendesh të botës kanë një program kaq të gjerë. Energjia është në qendër të programeve tona dhe ato të qeverisë dhe pasojat e mungesave në energji mund të shihen edhe në nivelin e të ardhurave të vendit. Sektori energjetik mund të privatizohet, por kjo duhet bërë me shumë kujdes, për arsye se kemi të bëjmë me shumë elementë, që nga gjenerimi, e deri tek shpërndarja e energjisë, dhe në se një nga hallkat e këtij zinxhiri nuk funksionon siç duhet, i gjithë sistemi shkatërrohet, gjë që ka ndikime të rrezikshme në mbarë ekonominë dhe vendin. Pra, privatizimi, është pjesë e rendit tonë të ditës në Shqipëri, por ai duhet bërë një kohën e duhur dhe kur ky sektor të ketë arritur në një nivel të tillë, që mund të tërheqë investitorë të huaj. Ndoshta kjo mund të ndodhë në të ardhmen e afërt, sepse sipas mendimit tim, ky sektor po bëhet gjithnjë e më i qëndrueshëm. Nga ana tjetër, duhen gjetur investitorë të huaj, të cilët të kenë sasinë e nevojshme të parave për të investuar në këtë proces privatizimi, në mënyrë që ky sektor të bëhet sa më i efektshëm. Banka Botërore dhe IFC-ja (Korporata Financiare Ndërkombëtare) po e ndjekin me shumë kujdes këtë sektor. Përveç sektorit energjetik, ka edhe sektorë të tjerë, të cilët mund të privatizohen më me lehtësi, mund të përmend këtu sektorin e Telekomunikacionit, që tashmë ka hyrë në rrugën e privatizimit, një tjetër sektor mund të jetë ai i ujësjellësit, ai i përpunimit të mbeturinave, por kjo do të varet nga gjendja e tregut, aftësia e investitorëve për të paguar. Dua të shtoj këtu, se edhe rrugët mund të ndërtohen nga sektori privat.

Zëri i Amerikës:Banka ka patur në Shqipëri një sërë projektesh lidhur me reformën administrative dhe në përgjithësi për reformën insitucionale në Shqipëri, që kanë të bëjnë direkt me korrupsionin. A shikoni ndonje rezultat konkret ne zbatimin e këtij programi?

O.K.: Korrupsioni është një fjalë, por do të thoja se ai është një e keqe me shumë fytyra, në se do ta quaja kështu. Nuk ka vetëm një mënyrë të vetme për ta luftuar atë. Banka ka në Shqipëri programe për menaxhimin e shpenzimeve në sektorin publik, përmirësimin e efikasitetit dhe kontabilitetit të shpenzimeve publike, duke bërë vlerësimin e kontabilitetit të vendit, duke u siguruar që ligji i prokurimit të funksionojë siç duhet, që burimet e sektorit publik të prokurohen siç duhet. Mund të them se në këtë fushë ka disa arritje, por që ato të jenë të qëndrueshme dhe për të parë rezultate me bazë të gjerë, duhet që institucionet ekzistuese të funksionojnë më mirë. Duhet të them se edhe për dikë që e viziton Shqipërinë për një periudhë të shkurtër kohe, si edhe unë, për një javë, mund të shohësh shenjat se sistemi i kontrollit nuk funksionin siç duhet. Të gjitha ato ndërtesa pa leje, në çdo pjesë të vendit, janë shprehje e qartë e mungesës së kontrollit nga ana e shtetit, pra që gjërat nuk bëhen mbi bazën e meritokracisë, por mbi bazën e favoreve. Gjatë diskutimit të programeve të ndryshme që kemi në Shqipëri, ne kërkojmë që udhëheqësit shqiptarë të kenë një vizion të qartë për vendin, si e shikojnë ata Shqipërinë pas 10-20 vjetësh. Shqipëria dëshiron të jetë pjesë e Evropës, por si do ta arrihet kjo, ku do të gjenden burimet e rritjes, si do të zhduken pabarazitë që ekzistojnë, si të gjendet mundësia për ta mbajtur rininë në vend, që ajo të mos migrojë. Gjatë muajve të ardhshëm, pikërisht për këto çështje duam të bisedojmë me udhëheqësit shqiptarë.

XS
SM
MD
LG