Lidhje

Nano: qeveria ka arritur rezultate pozitive në luftën kundër krimit të organizuar - 2003-06-16


Kryeministri Fatos Nano deklaroi të hënën pasdite se qeveria e tij ka arritur rezultate pozitive në luftën kundër krimit të organizuar. Duke folur në parlament, gjatë një interpelance për këtë çështje ai u shpreh se krimit të organizuar mund t’i bëhet ballë vetëm nëpërmjet bashkëpunimit dhe një drejtësie të organizuar.

Prokurori i Përgjithshëm i Shqipërisë Theodhori Sollaku dhe dy ministra, ai i Rendit Luan Rama dhe ministri i Shtetit pranë kryeministrit Blendi Klosi, nënshkruan të hënën një memorandum mirëkuptimi për krijimin e një Task Force të Posaçme për të luftuar krimin e organizuar.

Kreu i qeverisë Fatos Nano deklaroi se ngritja e një strukture të tillë do të nxisë aksione të përbashkëta ekzekutive dhe ligjore për të bllokuar dhe ndëshkuar në mënyrë të vecantë trafikantët e qenieve njerëzore, të drogës dhe korrupsionin administrative në tërësi. Kryeministri u shpreh se tashmë përballë krimit të organizuar do të veprohet më forcën goditëse të drejtësisë së organizuar.

Kreu i qeverisë u shpreh i bindur se ekzistojnë të gjitha mundësitë dhe mjetet për të luftuar dhe goditur me më shumë efikasitet dhe në mënyrë të koordinuar të gjitha shfaqjet dhe elementet që ushqejnë tendencat kriminale në shoqëri dhe ekonomi, në politikë dhe administrimin publik në marrëdhëniet e brendshme dhe ato me botën.

Kryeministri Nano shpjegoi se me nismat e fundit edhe në nivel rajonal do të bëhet i mundur edhe ndëshkimi ligjor i çdo akti kriminal.

Në raportin e fundit të Departamentit amerikan të shtetit, Shqipëria kritikohej për nivelin e ulët të dënimeve ndaj trafikantëve dhe kriminelëve.//kk//

XS
SM
MD
LG