Lidhje

Kalendari Historik, 17 qershor - 2003-06-16


Më 17 qershor 1775 kolonë amerikanë të armatosur dhe trupa britanike zhvilluan betejën e parë të madhe të Revolucionit Amerikan. Beteja u zhvillua pranë kodrës Bunker Hill, që tani është pjesë e qytetit Boston, në shtetin Masaçusets. 2 mijë e 400 trupa britanike nën udhëheqjen e gjeneralit William Howe, u hodhën në sulm kundër një mijë e 500 kolonëve amerikanë, të cilët kishin hapur llogore mbrojtëse në një pjesë të kodrës Breeds Hill, në afërsi të kodrës më të dëgjuar Bunker Hill. Trupat britanike u zmbrapsën dy herë nga kolonistët; sulmi i tyre i tretë pati sukses, sepse amerikanëve thuajse u ishte mbaruar municioni. Historiani Joel Cohen thotë se edhe pse amerikanët e humbën kodrën, britanikët pësuan humbje të rënda. “Beteja e Bunker Hill-it ishte një humbje katastrofike për britanikët. Mbi një mijë ushtarë britanikë, ose 42 përqind e tyre, u vranë ose u plagosën. Kurse numri i amerikanëve të vrarë e të plagosur ishte rreth 400.” Profesori Cohen, i Universitetit Rhode Island, thotë se beteja e Bunker Hillit ishte gjithashtu një fitore morale për amerikanët.

Më 17 qershor 1963 Gjykata e Lartë e Shteteve të Bashkuara arriti në përfundimin që leximi i organizuar i Biblës, apo recitimi i lutjeve të saj në shkollat publike ishte jokushtetues. Në një nga vendimet e saj më të diskutueshme, gjykata më e lartë e vendit përmendte atë pjesë të Kushtetutës që ndalonte marrjen nën mbrojtje të fesë nga ana e qeverisë. Në bazë të vendimit të gjykatës, ndërsa studimi i fesë mund të ishte pjesë e mësimeve që jepeshin në shkollë, sistemi i shkollave publike, si organ i qeverisë, nuk mund të përdorej për qëllime fetare. Ndryshe nga sa mendonin disa nga kundërshtarët e këtij vendimi, Gjykata e Lartë nuk i ndalonte individët e veçantë të luteshin më vete. Vendimi vetëm se ndalonte shkollat të organizonin seanca lutjesh. Në vendimin e gjykatës thuhej se programimi i lutjeve apo të shkruarit e një lutjeje zyrtare të çdo lloji, konsiderohej si mbrojtje e fesë nga ana e qeverisë. Gjykata theksonte se “Në çdo marrëdhënie ndërmjet njeriut dhe fesë, shteti duhet të mbajë në mënyrë të vendosur një qëndrim asnjanës.”

XS
SM
MD
LG