Lidhje

Maqedoni: Një i vdekur dhe një i plagosur nga një shpërthim - 2003-06-17


Një ushtar maqedonas humbi jetën dhe një tjetër u plagos rëndë sot në mëngjes në një shpërthim mine në një zonë kufitare në veriperëndim të Kuamanovës ndërkohë që në qendrën tregtare në Tetovë pati një shpërthim tjetër, i cili shkaktoi vetëm dëme materiale, por jo viktima në njerëz. Po sot në Shkup, Bashkimi Demokratik për Integrim, parti përbërëse e koalicionit qeveritar, tha se ka arritur suksese të jashtëzakonshme në punën e saj një vjeçare.

Një ushtar maqedonas humbi jetën dhe një tjetër u plagos rëndë sot herët në mëngjes në shpërthimin e një mine të vendosur në vendin e quajtur Strazhë, në kufirin midis Maqedonisë dhe Luginës së Preshevës, në veri-perëndim të qytetit të Kumanovës. Incidenti ndodhi kur një patrullë kufitare maqedonase po kalonte në zonë dhe ndeshi në minën e vënë në rrugë. Ministria e brendshme e Maqedonisë e konfirmoi incidentin, duke mos dhënë hollësi të tjera.

Po sot herët në mëngjes, rreth një orë pas mesnate, një shpërthim tjetër shkaktoi dëme materiale në qendrën tregtare në Tetovë, pa shkaktuar viktima në njerëz. Edhe për këtë rast vazhdojnë hetimet, por nuk janë dhënë hollësi të tjera për autorët dhe as motivet e tyre.

Ndërkohë sot në Shkup, Bashkimi Demokratik për Integrim, paraqiti një raport për punën një vjecare të kësaj partie, përfshirë edhe punën e saj si pjesë e koalicionit qeveritar në vend. Kryetari i partisë, Ali Ahmeti, tha se partia e tij kishte arritur suksese të jashtëzakonshme, siç ishin krijimi i strukturave të partisë për një kohë të shkurtër, fitorja e zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare, sjellja e një forme të re të veprimit politik, përfaqësimin e drejtë të shqiptarëve në administratën shtetërore, përdorimin e gjuhës shqipe në dokumentat personale dhe transmetimin e seancave parlamentare në kanalin e tretë të televizionit shtetëror, përfaqësimin e drejtë i shqiptarëve në strukturat e sigurisë, arritjen e një marrëveshjeje për përfaqësimin e duhur të shqiptarëve në ushtri, angazhim për zbatimin e plotë të ligjit për aministi, dhe përpjekjet për zyrtarizimin e universitetit të Tetovës që janë në vazhdim e sipër.

“E arritur solide është po ashtu marrëveshja brenda planit të aksionit të qeverisë, sipas së cilës deri në fund të vitit, duhet të punësohen në administratë 2400 shqiptarë që do të shënojë një rritje për 2% të përfaqësimit të shqiptarëve brenda administratës. Po ashtu, BE ka siguruar mjete për trajnim të 600 administratorëve të rinj shqiptarë me program akademik të administratës publike,” tha zoti Ahmeti.

Zoti Ahmeti shtoi se partia e tij pasqyron karakterin shumë-etnik të shoqërisë në Maqedoni sepse përfshin në të edhe përfaqësues të bashkësive të tjera etnike në vend, përfshirë edhe maqedonas.

//ad//

XS
SM
MD
LG