Lidhje

Shqipëri: nënshkruhet memorandumi për mbrojtjen e dëshmitarëve - 2003-06-17


Disa ministra të qeverisë shqiptare dhe agjenci ndërkombëtare që veprojnë në vend nënshkruan sot një memorandum mirëkuptimi për krijimin e një grupi pune për krijimin e legjislacionit dhe struktuarave të duhura për mbrojtjen e dëshmitarëve. Qëllimi i kësaj strukture do të jetë sigurimi i mbështetjes logjistike dhe financiare për dëshmitarët dhe ndihma e qeverisë shqiptare për krijimin dhe zbatimin e legjislacionit për mbrojtjen e dëshmitarit. Aktualisht Ministria e Drejtësisë ka përgatitur projektligjin për mbrojtjen e dëshmitarëve dhe bashkëpunëtorëve të drejtësisë. Sipas asaj që deklaroi dje kryeministri Fatos Nano, qeveria synon që legjislacioni për këto çështje të jetë i zbatueshëm menjëherë pas miratimit të tij. Memorandumi i sotëm u nënshkrua nga Ministri i Shtetit pranë Kryeministrit, Ministria e Drejtësisë, Ministria e Rendit Publik, Ministria e Financave, si dhe nga Prokuroria e Përgjithshme, Prezenca e OSBE-së në Shqipëri, Organizata Ndërkombëtare për Migrim dhe organizata joqeveritare “Save the Children”. Sipas Blendi Klosit, Ministër i Shtetit pranë kryeministrit, “mbrojtja e dëshmitarit vazhdon të jetë një çështje delikate për Shqipërinë. Pa mbrojtjen e mjaftueshme është shumë e vështirë të nxiten dëshmitarët që të bashkëpunojnë me drejtësinë.” Dëshmia e tyre është thelbësore në luftën kundër trafikimit dhe krimit të organizuar, si një pjesë jetësore e provave të nevojshme në ecurinë e procedimit penal. //ad//

XS
SM
MD
LG