Lidhje

SHBA: Lobi shqiptar dhe Kosova - 2003-06-17


Një organizatë lobistësh shqiptaro-amerikanë po përpiqet ti përcjellë administratës së Presidentit Bush mesazhin e saj se Kosovës duhet ti jepet qysh tani pavarësia e plotë. Lidhja Civile Shqiptaro-Amerikane me qendër në Nju Jork thotë se synimi i saj është që çështja e pavarësisë për Kosovën, e cila tani për tani kundërshtohet nga Departamenti i Shtetit, të qendrojë në platformën e politikës së jashtëme të administratës.

Lidhja Civile Shqiptaro-Amerikane dha mbrëmë me një ceremoni Çmimin e Paqes për Ballkanin: Tre shqiponja prej alabastri të gdhendura në Shqipëri, iu dhuruan tre përkrahësve të njohur të pavarësisë për Kosovën: Tom Lantosh, Henry Hyde dhe Benjamin Gilman. Për shkak të problemeve shëndetësore, zoti Hyde u përfaqësua në ceremoni nga ndihmësit e tij. Ceremonia u zhvillua në kompleksin e Kongresit amerikan.

Në muajin janar, republikani Hyde, kryetar i komisionit të Dhomës së Përfaqësuesve për marrëdhëniet ndërkombëtare dhe zoti Lantosh, demokrati kryesor në këtë komision, i paraqitën Kongresit një rezolutë, e cila kërkon që Kosovës ti jepet pavarësia qysh tani, ide e cila nuk mbështetet nga Departamenti i Shtetit.

Para disa javësh, me interesimin e Lidhjes Civile Shqiptaro-Amerikane, Dhoma e Përfaqësuesve zhvilloi një seancë të rëndësishme dëshmish ku përkrahësit e pavarësisë paraqitën pikpamjet e tyre përballë qendrimit të përfaqësueve të administratës.

Kryetari i Lidhjes Shqiptaro-Amerikane, Joseph DioGuardi thotë se ka shumë rëndësi fakti që shqiptaro-amerikanët kanë mbështetës të fuqishëm në Kongres, por organizata e tij po përpiqet tani të bindë drejtpërdrejt administratën se përse, sipas tij, dhënia e pavarësisë Kosovës do të ishte në interes të Shteteve të Bashkuara. Ai i tha Zërit të Amerikës se Lidhja që ai drejton po eksploron tani kontaktet e drejtpërdrejta me Shtëpinë e Bardhë:

”Mendoj se ne kemi rastin tani të bindim presidentin Bush se Kosova duhet të jetë e pavarur, jo thjesht sepse kështu duan shqiptarët por sepse është në interes të paqes dhe qendrueshmërisë në Evropë dhe pra në interes të SHBA për të patur një Kosovë të pavarur,” thotë zoti DioGuardi.

Benjamin Gilman, ish kryetar i komisionit të punëve të jashtëme, është akutualisht kryetar nderi i këtij komisioni. Ai i tha Zërit të Amerikës se Kosova duhet ta fitojë pavarësinë sa më shpejt që të jetë e mundur por mbetet punë për të bërë:

”Ne duhet të veprojmë fuqishëm për ta bindur Departamentin e Shtetit të ndryshojë mendim dhe të veprojë tani e jo të presë për më vonë,” thotë ish kryetari i fuqishëm i komisionit të Dhomës.

Shqiptaro-amerikanët thonë se në një kohë si kjo e tanishmja, kur administrata ka probleme të tilla të rëndësishme si konflikti izraelito-palestinez ose rindërtimi i Irakut, ka rëndësi që lobi shqiptar të flasë me një zë të vetëm në mënyrë që problemet të qendrojnë në tryezë.

Zoti DioGuardi, i cili vetë ka qenë anëtar i Dhomës së Përfaqësuesve, është i vetëdijshëm për vështirësitë:

”Ne e dimë se kjo nuk do të jetë çështja numër 1, por duhet të krijojmë kushtet që ajo të jetë ndër 5 ose 10 të parat, në mënyrë që administrata të mund të bëjë diçka. Le t’i përqendrojmë energjitë tona në Uashington sepse ky është i vetmi vend ku mund të zgjidhet çështja e pavarësisë së Kosovës,” shpjegon kryetari i Lidhjes Civile Shqiptaro-Amerikane.

Midis shqiptarëve të Amerikës, sidomos atyre të ardhur nga Kosova, interesimi për çështjet që kanë të bëjnë me statusin politik të Kosovës është i madh, por përfaqësuesit e Lidhjes Civile Shqiptaro-Amerikane mendojnë se ata duhet të tregohen më aktivë dhe t’i shfrytëzojnë më mirë mundësitë që u ofron Amerika për të zgjidhur problemet e tyre.

”Mendoj se shqiptarët kudo duhet të jenë më aktivë në mbështetje të kësaj çështjeje por sidomos shqiptarët e Amerikës sepse ata kanë privilegje të jashtëzakonshme dhe ata kanë treguar se i kanë shfrytëzuar liritë dhe demokracinë që ofron ky vend. Tani ata duhet të kenë vullnetin të japin nga ajo që ky vend u ka dhënë atyre,” thotë Shirley Cloyes, eksperte për Ballkanin.

Anëtarët aktivë të Lidhjes që morën pjesë në ceremoninë e dhënies së çmimeve, thonë se shqiptarët e diasporës duhet të punojnë më të bashkuar për të realizuar synimin e tyre të përbashkët që administrata të bindet se Kosova duhet të gëzojë pavarësinë qysh tani.

XS
SM
MD
LG