Lidhje

Festohet 100 vjetori i krijimit të kompanisë së automjeteve Ford - 2003-06-17


Kompania Ford po feston këto ditë 100 vjetorin e krijimit të saj. U mbushën 100 vjet që nga koha kur shpikësi amerikan Henry Ford e krijoi kompaninë në shtetin e Miçiganit. Nga arritjet më të njohura të kompanisë Ford, është projektimi i makinës së tipit T, dhe metoda e montimit të saj që për herë të parë u bë me një proces zinxhir, që ndihmoi në tranformimin e mënyrës së punës dhe të udhëtimit të njerëzve.

Kur Henry Ford e krijoi kompaninë e tij në vitin 1903, vetëm një ndër 1 milionë e gjysëm amerikanë kishte makinë. Një dekadë më pas, raporti ndryshoi, një në çdo 800 amerikanë kishte makinë, dhe kjo në shumicën e rasteve ishte një makinë Ford e tipit T, e prodhuar me procesin zinxhir, që ishte një metodë e re e përdorur nga kompania Ford. Ky proces mund të ketë qënë kontributi më i rëndësishëm i kompanisë Ford në industrinë moderne të prodhimit të makinave. Punëtorët qëndronin njëri pas tjetrit në vendin e punës dhe kryenin vazhdimisht të njëjtin proces, ndërsa makinat kalonin njëra pas tjetrës.

Procesi zinxhir bëri të mundur që Fordi të prodhojë më tepër makina se konkurentët e tij, nëpërmjet uljes së kostos, pra duke prodhuar makina me një çmim më të përballueshëm për konsumatorët.

Kur u hap fabrika e Fordit, makinat kushtonin rreth 3 mijë dollarë. Por procesi zinxhir i prodhimit e uli në 260 dollarë çmimin e tyre në vitin 1914. Për herë të parë, një amerikan me të ardhuara mesatare mund të blinte makinë.

Me kalimin e viteve, procesit të prodhimit të makinave iu bënë përmirësime të tjera, midis të cilave përdorimi më i madh i proceseve të automatizuara dhe përdorimi i teknikave më të sofistikuara të marketimit për shitjen e një linje të zgjeruar të prodhimeve.

Por ndikimi i modelit T në historinë e Fordit dhe në historinë e Amerikës, mendohet të ketë qenë arritja më e madhe e Fordit.

Në fillim të këtij viti, pronarët e modelit T filluan një turne në Amerikë me makina nga Kalifornia në Miçigan me rastin e 100 vjetorit të kompanisë. Javën e kaluar, një autokolonë prej 50 makinash mbërriti në qendrën e Fordit në Dearborn të shtetit Miçigan.

Pjesëmarrësit në udhëtimin përreth vendit thonë se kjo ishte një eksperiencë e veçantë për të ri-kujtuar historinë. “Mendoj se gjithësecili e ka ëndërr të shkojë diku dhe të bëjë diçka, qoftë kjo e vështirë, por megjithatë, një herë në jetë është diçka e bukur, prandaj thashë: mirë këtë mund ta bëjmë,” thotë organizatori i veprimtarisë, Xhos Sanderson. “Udhëtimi ishte një eksperiencë e shkëlqyer, nga ngrica dhe bora në malet e Kolorados, tek temperaturat tepër të larta të shkretëtirave në Nevada. U lidhëm shumë me ekipin e udhëtimit, e filluam atë si njerëz të panjohur dhe mbërritën këtu si miq të ngushtë,” thotë Susan Sanderson, e cila zotëron një makinë ford të modelit T.

Por ç’po ndodh kohët e fundit me kompaninë Ford? Nga vendi i dytë në botë që ajo zinte në prodhimin e makinave, tani ka dalë në vend të tretë, ndërsa përballet me një konkurrencë të madhe në tregun global .

Por të paktën sot, familja Ford, siç e quajnë veten pronarët aktualë dhe punonjësit e kompanisë, po kënaqet duke e hedhur vështrimin në një shekull me arritje, për të cilat me të drejtë krenohet.

//ad//

XS
SM
MD
LG