Lidhje

Irani akuzon SHBA-në për ndërhyrje në çështjet e tij të brendshme - 2003-06-17


Irani protestoi ndaj Shteteve të Bashkuara lidhur me atë që Teherani e cilëson si ndërhyrje flagrante në çështjet e brendshme të Iranit. Qeveria iraniane thotë se e kundërshton përkrahjen e hapur të Uashingtonit për protestat anti-qeveritare që vazhdojnë në Iran.

Për të gjashtën ditë mijëra studentë iranianë pro-demokracisë u përleshën dje me ekstremistë që mbështesin qeverinë klerike të këtij vendi. Të dielën, presidenti Bush shprehu pikëpamjet e tij: “Këto janë fillimet e shprehjes së lirë të një populli, dhe do të çojnë në një Iran të lirë, gjë që mendoj se është pozitive,” tha presidenti.

Por administrata është e ndarë: në njërën anë zyrtarët e Pentagonit duan t’u bëjnë trysni përkrahësve të vijës së ashpër në Iran dhe në anën tjetër zyrtarë të Departamentit të Shtetit që mendojnë se ky do të ishte një qëndrim jo produktiv. Analisti i Institutit Brookings Michael O’Hanlon mendon se nuk ka zgjidhje të thjeshtë: “Çështja është si të rrisësh trysninë mbi pasuesit e vijës së ashpër pa dëmtuar kauzën tënde, pra pa dobësuar reformatorët, pasi nuk do të jetë në favor të tyre nëse shihen si kukulla të Shteteve të Bashkuara,” thotë analisti.

Por në Kongres kanë filluar përpjekjet për të nxitur presidentin të shpenzojë më shumë se 50 milion dollarë për të ndihmuar reformatorët iranianë. Michael Ledeen i organizatës Koalicioni për Demokraci në Iran po përpiqet të nxisë veprime më të forta:

“Nëse nuk përpiqemi për lirinë e këtij populli që po shtypet nga një prej regjimeve më të urryera dhe të dhunshme në botë, për çfarë tjetër do të përpiqen Shtetet e Bashkuara?” thotë zoti Ledeen.

Gjendjen e ndërlikon programi bërthamor i Iranit. Presidenti Bush shpreson se raporti i inspektorëve të OKB-së do ta detyrojë Iranin të çmontojë disa nga objektet e tij bërthamore.

Në Austri, Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike po e diskuton raportin. Kreu i agjencisë, Mohamed el Baradei po i bën thirje Iranit të japë siguri të besueshme për natyrën paqësore të programit të tij bërthamor.

Irani i kundërshton me forcë akuzat se ky program përdoret për qëllime të tjera përveç prodhimit të energjisë elektrike. Diplomati i lartë iranian Ali Salehi u tha gazetarëve në Vienë se mendon se Shtetet e Bashkuara po i bëjnë presion Agjencisë së OKB-së të ndërmarrë masa kundër Iranit:

“Mjafton të dëgjosh retorikën e tre muajve të fundit dhe mund ta kuptosh presionin që është përdorur. Ato që kemi dëgjuar gjatë 3 muajve të fundit, përmes zyrtarëve të Shteteve të Bashkuara, deklaratat e shumta lënë të kuptosh presionin që po ushtrohet mbi Agjencinë për Energjinë Bërthamore për të ndikuar mbi vendimet e saj,” thotë zoti Salehi.

Megjithatë, diplomati iranian thotë se një qëndrim i arsyeshëm i Agjencisë së Kombeve të Bashkuara do të pritej pozitivisht nga Teherani.

Programi bërthamor i Iranit u diskutua dje edhe në takimin e Ministrave të Jashtëm të Bashkimit Evropian në Luksenburg, ku ministrat i bënë thirje Iranit të nënshkruajë pa vonesë një protokoll që lejon inspektimin e objekteve të tij bërthamore nga Kombet e Bashkuara.

//ad//

XS
SM
MD
LG